LAJMI I FUNDIT:

Luca Toni lë futbollin

Luca Toni lë futbollin

Luca Toni do t’i thotë lamtumirë futbollit në fund të këtij sezoni. Sulmuesi italian i Veronës, në një konferencë për shtyp, deklaroi se sfida me Juventusin në “Bentegodi” do të jetë e fundit për të si futbollist profesionist.

“Pasi reflektova dhe pas një karriere të gjatë në fushat e lojës, mendova se ka ardhur koha që të lë këtë sport. Kanë qenë javë jo të lehta dhe ishte një vendim i vështirë për t’u marrë. Ndeshja e së dielës do të jetë një ndërthurje e gëzimit me trishtimin”, tha Luca Toni.

Luca Toni, tashmë 38 vjeç, ka luajtur 343 ndeshje duke shënuar 156 gola në Serinë A, ndërkohë që ai ka përjetuar një aventurë edhe në Gjermani, te Bayerni i Munichut. Tashmë, e ardhmja duket se i rezervon rolin e drejtuesit, edhe pse futbollisti italian nuk dëshiron të flasë shumë për këtë.


“Dua të sqaroj diçka për të ardhmen. Unë jam këtu për të luajtur futboll dhe gjatë këtyre viteve nuk ia kam lejuar vetes të them asnjë fjalë që nuk ka lidhje me fushën e lojës. Nuk kam asnjë akord me presidentin Setti. Me të do të flas pas mbylljes së kampionatit dhe nëse do të gjejmë marrëveshjen, do të vazhdojmë bashkëpunimin. Në rast të kundërt, do t’i themi njëri-tjetrit lamtumirë”, tha Toni.