Lorent Talla transferohet në Superligën e Portugalisë

Reprezentuesi i Kosovës U-21, Lorent Talla ka kompletuar transferimin nga Queens Park Rangers (QPR) te Rio Ave.
Mesfushori kosovar ka bërë një transferim të madh në ditën e fundit të afatit kalimtar veror, duke kaluar nga Championshipi në Superligën e Portugalisë.
Sipas burimeve të Telegrafit, Lorent Talla ka nënshkruar me ekipin e njohur Rio Aven, një kontratë dyvjeçare me mundësi vazhdimi edhe për një vit.
Telegrafi mëson gjithashtu se 20-vjeçari ishte në bisedime edhe me klube si Metalist në Ukrainë, Sumgayit FK në Azerbajxhan dhe Riga në Letoni, por zgjodhi portugezët e Rio Aves.
Transferimi i Tallës te Rio Ave erdhi pasi reprezentuesi i Kosovës U-21 e pa si një zgjedhje karriere, pasi kampionati portugez është më i fortë dhe nga ky klub kanë dalë emra të njohur në Evropë.
Ky transferim llogaritet si një hap i madh i djaloshit 20-vjeçar, i cili synon t'i arrijë majat.
Zyrtarizimi dhe prezantimi i tij pritet të ndodh së shpejti. /Telegrafi/




















































