Përfundon Big Brother VIP me fitues Ilir Shaqirin - gjithçka që ndodhi në natën finale të spektaklit shumë të shikuar

- 19/02/2022 02:27-Ilir Shaqiri fiton Big Brother VIP
- 19/02/2022 02:01-Mbyllet televotimi - pritet emri i fituesit të Big Brother VIP
- 19/02/2022 01:21-Ilir Shaqiri dëgjon zërin e bashkëshortes në finale - ajo i flet shqip
- 19/02/2022 01:11-Alban Skënderaj interpreton në finalen e Big Brother VIP për befasinë e Donaldit
- 19/02/2022 01:09-Befasi tjetër për Donaldin: Vallëzon me të ëmën në Pallatin e Kongreseve
- 19/02/2022 00:36-Beatrix - befasia e Donaldit në mbrëmjen finale
- 19/02/2022 00:23-Ilir Shaqiri dhuron performancë fantastike me nënën e tij në finale
- 19/02/2022 00:22-Inva Mula në finalen e Big Brother VIP - pjesë e befasisë për Ilirin
- 19/02/2022 00:16-Befasi për Ilir Shaqirin, dërgohet në Teatrin e Operës dhe Baletit ku takon prindërit e tij
- 19/02/2022 00:09-Opinionistët të ndarë: Arbër Hajdari me Ilirin, Balina Bodinaku me Donaldin
- 18/02/2022 23:44-Çmimi i madh mes Ilirit dhe Donaldit
- 18/02/2022 23:35-E eliminuara e dytë e finales së Big Brother VIP është Einxhel Shkira
- 18/02/2022 23:22-Mbi 400 mijë vota për televotimin e finales së Big Brother VIP
- 18/02/2022 22:59-Rezulatet nga sondazhi i Telegrafit, mbi 35 mijë njerëz votuan për fituesin
- 18/02/2022 22:55-E eliminuara e parë e finales është Beniada
- 18/02/2022 22:52-Mbyllet zyrtarisht televotimi
- 18/02/2022 22:29-Beniada befasohet nga farefisi i gjerë në finalen e Big Brother VIP
- 18/02/2022 21:58-Befasi e madhe për Einxhelin, takon babanë e saj në finale
- 18/02/2022 21:55-Beatrix Ramosaj shkëlqen me dukjen në Big Brother VIP, e quan Donaldin fitues në dedikimin e saj pak para finales
- 18/02/2022 21:52-Arjola Demiri bie në sy me ndryshimin drastik në finalen e BBV
- 18/02/2022 21:14-Katër finalistët e BBV shkëlqejnë me dukjen elegante në finale
- 18/02/2022 21:06-Finalja nis me koreografi spektakolare nga ish-banorët
- 18/02/2022 21:01-Në hapje të spektaklit, Arbana Osmani zbulon se është shtatzënë
- 18/02/2022 20:26-Yjet parakalojnë në tapetin e kuq
- 18/02/2022 20:05-Banorët bëjnë përgatitjet e fundit para finales së madhe
- 18/02/2022 18:27-Shumëçka që pritet të ndodhë në natën finale të Big Brother VIP
- 18/02/2022 18:22-Einxhel theu rekord botëror si banorja më e nominuar në histori të të gjithë spektakleve Big Brother në botë
- 18/02/2022 18:17-Monika zgjodhi Donaldin para Ilirit si fitues të BBV
- 18/02/2022 18:14-Arjola në mbështetje të Ilirit, e ashpër me Donaldin
- 18/02/2022 18:02-Fenomeni Big Brother VIP, shikuesit do ta ndjekin finalen e madhe edhe nëpër lokale
- 18/02/2022 17:51-Në ditën e finales, Fifi, PM dhe DAGZ lansuan këngën “Hana”
- 18/02/2022 17:47-Jonida Maliqi ishte diplomatike në përgjigjen e saj për fituesin
- 18/02/2022 17:43-Romeo ka vazhduar me ‘çmenduritë’ e tij për Donaldin
(E plotësuar): Ka përfunduar spektakli i shumë shikuar nga shqiptarët, Big Brother VIP.
Fituesi i këtij spektakli është shpallur Ilir Shaqiri, si banori më i votuar nga televotimi i javës, ku u dërguan mbi 400 mijë SMS.
Katër ishin banorë VIP që i rezistuan deri në fund kësaj gare, e zhvilluar në më plot 136 ditë qëndrimi brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri.

Përveç Ilirit me çmimin kryesor prej 100 mijë eurosh, finalistë të mbrëmjes të cilët u shpërblyen me nga 10 mijë euro ishin edhe: Donald Veshaj (aktor), Beniada Nishani-Jakic (modele) dhe Einxhel Shkira (prezantuese).
Big Brother VIP ka qenë një program maratonik afro katër mujor, i drejtuar nga prezantuesja Arbana Osmani.
Telegrafi i ka mbajtur të informuar lexuesit hap pas hapi me zhvillimet më të fundit nga mbrëmja finales e së premtes.
19/02/2022 02:27-Ilir Shaqiri fiton Big Brother VIP

Balerini shqiptar Ilir Shaqiri është shpallur fituesi i edicionit të parë të Big Brother VIP.

Aktori Donald Veshaj ka përfunduar në vendin e dytë.

19/02/2022 02:01-Mbyllet televotimi - pritet emri i fituesit të Big Brother VIP

Është mbyllur përfundimisht televotimi hapur për fituesin e Big Brother VIP.
Publiku me ankth nga shtëpia është në pritje të emrit të fituesit, që do të jetë njëri prej dy emrave të mbetur: Donald Veshaj ose Ilir Shaqiri.
19/02/2022 01:21-Ilir Shaqiri dëgjon zërin e bashkëshortes në finale - ajo i flet shqip

Një tjetër befasi e këndshme iu bë finalistit Ilir Shaqiri në finalen e së premtes të Big Brother VIP.
Ai për pak çaste pati fatin të dëgjojë zërin e bashkëshortes së tij italiane, Emanuela Morini, e cila i ka thënë disa fjalë në shqip.
Megjithëse ajo nuk e posedon gjuhën shqipe, Emanuela ka arritur që me përpikmëri të thotë disa fjalë të bukura shqip për burrin e saj.
E njëjta më pas është gjendur në oborr, ku ka takuar dhe befasuar nga afër balerinin shqiptar.
19/02/2022 01:11-Alban Skënderaj interpreton në finalen e Big Brother VIP për befasinë e Donaldit

Këngëtari i njohru shqiptar ka qenë i ftuar special në finalen e spektaklit Big Brother VIP.
Ai ka interpretuar në Pallatin e Kongreseve, live një repertoar këngësh të tij, në një befasi që i është bërë finalistit Donald Veshaj.
19/02/2022 01:09-Befasi tjetër për Donaldin: Vallëzon me të ëmën në Pallatin e Kongreseve

Ashtu si Iliri, edhe Donald Veshaj është transportuar nga shtëpia e Big Brother VIP në një destinacion tjetër.
Ai është dërguar në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ku ka shikuar një film nga tribuna e pallatit, i cili ishte punuar me rrëfimet e tij për të ëmën të bëra brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri.
Më pas atij i është bashkuar nëna e tij duke i dhuruar një përqafim të ngrohtë, gjersa kanë shijuar së bashku një vallëzim nën tingujt e një repertoari këngësh të këngëtarit Alban Skënderaj.

19/02/2022 00:36-Beatrix - befasia e Donaldit në mbrëmjen finale

Befasia e fundit e mbrëmjes finale të Big Brother VIP ka qenë e rezervuar për finalistin Donald Veshaj.
Ka qenë e dashura e tij, këngëtarja Beatrix Ramosaj, ajo e cila ka befasuar aktorin me një vizitë speciale në oborrin e shtëpisë, shoqëruar me muzikë nga një kitarist.
Dyshja Beatrix dhe Donald janë një prej çifteve të krijuara gjatë këtij edicioni të Big Brother VIP.

19/02/2022 00:23-Ilir Shaqiri dhuron performancë fantastike me nënën e tij në finale
Balerini Ilir Shaqiri ka shijuar një vals magjik me nënën e tij në mbrëmjen finale të Big Brother VIP, nën tingujt e këngës "Valësi i Lumturisë", interpretuar nga artistja e madhe Inva Mula.
Ky vallëzim është realizuar në skenën e mrekullueshme të Teatrit të Operës dhe Baletit, në Tiranë.
19/02/2022 00:22-Inva Mula në finalen e Big Brother VIP - pjesë e befasisë për Ilirin

Soprano e njohur shqiptare me famë botërore, Inva Mula, është prezantuar në finalen e Big Brother VIP, si një befasi për banorin Ilir Shaqiri në Teatrin e Operës dhe Baletit.
Ajo ka interpretuar live këngën "Valësi i lumturisë", teksa në skenën e teatrit balerini ka interpretuar një vals të mrekullueshëm me nënën e tij, Mukadeze Shaqirin.
19/02/2022 00:16-Befasi për Ilir Shaqirin, dërgohet në Teatrin e Operës dhe Baletit ku takon prindërit e tij

Ilir Shaqiri është një prej dy banorëve të fundit të mbetur në shtëpinë e Big Brother VIP.
Mbrëmjen e finales, atij i është bërë një befasi shumë e këndshme nga produksioni i Big Brother VIP, të cilët e kanë çuar nga shtëpia në Teatrin e Operës dhe Baletit, në Tiranë.
Ai atje ka takuar prindërit e tij në audiencën e teatrit, ku emocionet dhe lotët kanë qenë të pashmangshëm.
19/02/2022 00:09-Opinionistët të ndarë: Arbër Hajdari me Ilirin, Balina Bodinaku me Donaldin
Dy opinionistët shumë të përfolur të spektaklit Big Brother VIP, kanë treguar qëndrimet e tyre sa i përket dyshes finaliste.
Arbër Hajdari ka shprehur mbështetjen e tij për Ilirin, ndërsa ndryshe prej tij Balina tregoi se mbështet Donaldin.
18/02/2022 23:44-Çmimi i madh mes Ilirit dhe Donaldit

Është hapur zyrtarisht televotimi i fundit për këtë edicion të Big Brother VIP.
Pasi moderatorja Einxhel Shkira u shpall e eliminuara e dytë e natës, çmimi i madh mbetet mes dy pretendentëve kryesorë: Donald Veshaj dhe Ilir Shaqiri.
18/02/2022 23:35-E eliminuara e dytë e finales së Big Brother VIP është Einxhel Shkira

Banorja e dytë që ka përfunduar aventurën e saj brenda shtëpisë së madhe të Big Brother VIP është prezantuesja Einxhel Shkira.
Ajo është shquar si një prej femrave më të forta të këtij edicioni.
18/02/2022 23:22-Mbi 400 mijë vota për televotimin e finales së Big Brother VIP
Pas largimit të Beniadës, prezantuesja Arbana Osmani ka rihapur teleovitmin për tre finalistët e mbetur: Einxhel, Donaldi dhe Iliri.
Ajo bëri të ditur se votat e marra sonte live në këtë televotim, iu shtohen votave të marra gjatë javës.
Ajo gjithashtu lajmëroi se në televotimin një javor ka pasur mbi 400 mijë vota nga shqiptarët, për të zgjedhur fituesin e Big Brother VIP.
Nga një abonent është lejuar të dërgohen deri në pesë mesazhe për konkurrentin e tyre të preferuar.
18/02/2022 22:59-Rezulatet nga sondazhi i Telegrafit, mbi 35 mijë njerëz votuan për fituesin
Portali Telegrafi.com ka hapur një sondazh online në fillim të kësaj jave, duke pyetur lexuesit për konkurrentin që mendojnë se do të jetë fituesi i Big Brother VIP.
Mbi 35 mijë votues kanë marrë pjesë në këtë votim , cili nxjerr fitues Donaldin me 59 për qind, në vend të dytë Ilir Shaqiri me 21 për qind, pasuar nga Einxhel me nëntë për qind në vendin e tretë dhe në vendin e katër, Beniada me tetë për qind. Për numrin e saktë të votave për secilin, kliko këtu.
18/02/2022 22:55-E eliminuara e parë e finales është Beniada

E eliminuara e parë e mbrëmjes finale të Big Brother VIP është Beniada Nishani (Jakic).
Ajo përgjatë intervistës në studio, e cilësoi Big Brother-in si një nga eksperiencat më të bukura në jetën e saj.
18/02/2022 22:52-Mbyllet zyrtarisht televotimi
Prezantuesja e programit Big Brother VIP, Arbana Osmani, ka mbyllur zyrtarisht teleovitmin e hapur prej një jave për zgjedhjen e fituesit.

18/02/2022 22:29-Beniada befasohet nga farefisi i gjerë në finalen e Big Brother VIP

Një befasi e këndshme është përgatitur edhe për modelen shqiptare Beniada Nishani (Jakic) në natën finale të Big Brother VIP.
Beniada, e cila ka qenë e njohur gjatë qëndrimit të saj në shtëpi për përshëndetjet e shumta për familjarët, është befasuar nga farefisi i gjerë në natën finale.

Që nga prindërit e deri te kushërinjtë, Beniada ka shijuar disa çaste të këndshme në një darkë speciale të përgatitur në oborrin e shtëpisë së Big Brother VIP.
Ndërsa i ftuar për t'i argëtuar me muzikë ka qenë këngëtar Sinan Hoxha, këngët e të cilit Beniada i ka kënduar më së shumti gjatë qëndrimit të saj në shtëpi.

18/02/2022 21:58-Befasi e madhe për Einxhelin, takon babanë e saj në finale

Prezantuesja Einxhel Shkira është njëra prej katër finalisteve të spektaklit Big Brother VIP.
Ajo është shquar si një prej femrave më luftarake të këtij edicioni, teksa e quajti gjatë finales së BBV rrugëtimin e saj në këtë aventurë si një rrugëtim jo të lehtë.
Në finalen e madhe, ajo është befasuar me një vizitë nga babai i saj, piktori Muzafer Shkira, i cili ka thënë fjalët më të mira dhe të lavdishme për suksesin e vajzës së tij.

18/02/2022 21:55-Beatrix Ramosaj shkëlqen me dukjen në Big Brother VIP, e quan Donaldin fitues në dedikimin e saj pak para finales

Këngëtarja e njohur dhe ish-banorja e Big Brother VIP, Beatrix Ramosaj po merr pjesë në natën finale të Big Brother VIP që po mbahet sonte (18 shkurt).
Ku kanë mbetur edhe pak kohë deri në shpalljen e fituesit të këtij edicioni të BB VIP, Beatrix ka treguar edhe një herë mbështetjen për partnerin e saj dhe finalistin, Donald Veshaj.

Përmes një postimi në Instagram, këngëtarja postoi një foto ku shihet në krahët e aktorit, ndërsa i bëri një dedikim.
“Ti ke lindur fitues, nuk mund të jem më krenare se kaq më ty”, ka shkruar Beatrix në mbishkrimin e postimit.
18/02/2022 21:52-Arjola Demiri bie në sy me ndryshimin drastik në finalen e BBV

Aktorja Arjola Demiri u pa me një ndryshim të ri në natën finale të Big Brother VIP
E veshur me një fustan të kuq elegant, artistja me prejardhje nga Tropoja është dukur tejet e veçantë, ndërsa ka prezantuar pamje ne re me flokë të çelura dhe më voluminoze.
Ajo është shquar si një prej konkurrenteve më të forta të këtij edicioni të BBV.
18/02/2022 21:14-Katër finalistët e BBV shkëlqejnë me dukjen elegante në finale

Katër finalistët: Donaldi, Iliri, Einxhel dhe Beniada duken tejet elegantë në mbrëmjen finale të Big Brother VIP.
Einxhel dhe Beniada morën gjithë vëmendjen me fustanet e tyre plotë shkëlqim, teksa jo më pak shik dukeshin edhe Donaldi me Ilirin, të veshur me kostume elegante.
Einxhel Shkira

Ilir Shaqiri

Beniada Nishani (Jakic) dhe Donald Veshaj

18/02/2022 21:06-Finalja nis me koreografi spektakolare nga ish-banorët
Mbrëmja finale e spektaklit Big Brother VIP ka nisur me një koreografi të veçantë nga ish-banorët.
Personazhet VIP të shtëpisë më të famshme në Shqipëri e kanë nisur gala-mbrëmjen finale me një performancë të shkëlqyer që i ka dhënë shumë ngjyra hapjes së natës finale.
18/02/2022 21:01-Në hapje të spektaklit, Arbana Osmani zbulon se është shtatzënë
Prezantuesja e spektaklit shumë të ndjekur, Arbana Osmani, duket mjaft elegante në paraqitjen e saj të finales.
E veshur me një kostum të kuq dhe me buzëqeshje që e karakterizon, Osmani është dukur mjaft tërheqëse në hapjen e programit.
Ajo zbuloi se është shtatzënë me fëmijën e saj të tretë, duke deklaruar: "Këtë Big Brother e kemi prezantuar dy veta".


18/02/2022 20:26-Yjet parakalojnë në tapetin e kuq
Yjet e këtij edicioni të Big Brother kanë nisur parakalimin në tapetin e kuq të finales.
Në vazhdim ju sjellim dukjen elegante të ish-banorëve të shtëpisë më të famshme në Shqipëri, të këtij edicioni:
Fifi

Monika Lubonja

Beatrix Ramosaj

Sabiani

Sarah Berisha dhe DJ PM

Ardit Çuni

Sheila Haxhiraj

Granit Cana

Semi Japuaj

Arbër Sulstarova

Tan Brama

Big Mama dhe Kledi Hysa

Meridian Ramçaj

Paloma

Kledi Hysa, DJ Dagz dhe PM dhe Elhaid Cufi

18/02/2022 20:05-Banorët bëjnë përgatitjet e fundit para finales së madhe
Katër finalistët e mbetur po bëjnë përgatitjet e fundit për mbrëmjen finale të Big Brother VIP.
Në dhomën e makijazhit, ata janë shoqëruar nga një staf ekstra i grimit, të cilët po kujdesen për dukjen e tyre këtë mbrëmje.
Shkëlqimi më i madh duket se bie mbi dy finalistet femra: Einxhel dhe Beniada, të cilat i kanë kushtuar kujdes të veçantë dukjes së tyre në këtë mbrëmje të rëndësishme për to.

18/02/2022 18:27-Shumëçka që pritet të ndodhë në natën finale të Big Brother VIP
Aventura e Big Brother VIP, e cila ka zgjatur më shumë se 136 ditë, do të marrë fund me shpalljen e një fituesi, i cili do të fitojë çmimin e madh prej 115 mijë eurosh.
Pretendentët për të fituar këtë çmim janë finalistët që i rezistuan deri në fund kësaj gare: Donald Veshaj, Ilri Shaqiri, Einxhel Shkira dhe Beniada Nishani (Jakic).
Teksa fansat e shumtë të spektaklit presin me padurim shpalljen e fituesit, duket se një mal me befasi janë përgatitur për shikuesit.
Duke qenë se ky Big Brother iu dedikua yjeve, produksioni ka vendosur që edhe mbrëmjen finale t’i trajtojë të gjithë banorët si yje. Kështu, një nga risitë e mbrëmjes do të jetë tapeti i kuq, në të cilin do të defilojnë të gjithë pjesëmarrësit që kanë qenë pjesë e Big Brother VIP.
Skenografia e natës finale gjithashtu ka ndryshuar dhe do të jetë speciale.
Një koreografi e veçantë është gjithashtu ajo e cila do të prezantohet në hapje të finales së madhe. Kjo performancë do të interpretohet nga ish-banorët që kanë qenë pjesë e formatit shumë të suksesshëm.
Duke qenë se i kanë rezistuar gjatë këtij rrugëtimi, për finalistët janë rezervuar befasi të shumta. Pritet që të premten të futet në shtëpi ish-banorja, njëherësh këngëtarja Beatrix Ramosaj, për t’i bërë një befasi të dashurit të saj, Donaldit.
Këngëtari Alban Skënderaj gjithashtu mendohet se do të jetë një nga artistët që do të ofrojë befasi për banorët finalistë.
18/02/2022 18:22-Einxhel theu rekord botëror si banorja më e nominuar në histori të të gjithë spektakleve Big Brother në botë
Einxhel Shkira është një prej katër finalistëve të BBV, ndërsa është e vetmja nga ta që nuk ka hyrë nga dita e parë në shtëpinë e famshme. Prezantuesja ka qëndruar 116 ditë në shtëpi, duke i mbijetuar shumë nominimeve nga banorët e tjerë, të cilët nuk e kanë dashur brenda.
E kur jemi te nominimet, ajo duket se mban një rekord botëror, duke qenë më e nominuara në historinë e të gjitha spektakleve Big Brother VIP në botë. Einxhel në total përgjatë gjithë aventurës së saj është nominuar plot 16 herë për të dalë.

Deri më tani, rekordin e mbante Janelle Pierzina, e cila ishte nominuar plot 12 herë në edicionin e 16-të të Big Brother në Amerikë, pasuar nga Victoria Rafaeli me 10 nominime në po të njëjtin edicion të Big Brother US.
18/02/2022 18:17-Monika zgjodhi Donaldin para Ilirit si fitues të BBV
Ish-banorja e Big Brother VIP, Monika Lubonja, pas daljes nga shtëpia e kishte komentuar marrëdhënien e shumëpërfolur me Iliri Shaqirin duke sqaruar se është ndier e zhgënjyer. Madje sipas saj, lezetin Ilirit ia ka dhënë pikërisht ajo.
E pyetur nga Bieta se kujt ia uron fitoren, Monika mbështeti dhe argumentoi për Donald Veshajn.

18/02/2022 18:14-Arjola në mbështetje të Ilirit, e ashpër me Donaldin
Ish-banorja e Big Brother VIP, Arjola Demiri, e cila arriti të shkonte deri në gjysmëfinale, ka thënë se Donald Veshaj ka vepruar me strategji, duke bërë heroin e të gjithëve për të dalë mirë para publikut, ndërsa e ka mbështetur Ilir Shaqirin për të dalë fitues.
“Ai (Donaldi) ka vepruar me strategji. Ai ka bërë heroin e të gjithëve për të dalë mirë para publikut, në shumë rrugë Donaldi gabimin më të madh e bëri që doli kundër Einxhelit. ka shumë ngjarje, por s’më kujtohen për momentin”, ka thënë ajo lidhur me aktorin.
Arjola dhe Iliri janë njohur brenda BBV dhe kanë krijuar një shoqëri të mirë që ditët e para që hynë në shtëpinë më të famshme në Shqipëri.
Aktorja e ka mbështetur Ilirin pas daljes nga shtëpia duke lënë edhe numrat e telefonit me të cilët publiku mund të votojë balerinin e njohur që të jetë fituesi i BB VIP.
18/02/2022 18:02-Fenomeni Big Brother VIP, shikuesit do ta ndjekin finalen e madhe edhe nëpër lokale
Big Brother VIP në sezonin e parë të transmetimit në Shqipëri u shndërrua në një fenomen televiziv. Spektaklet e të martave dhe të premteve në mbrëmje kanë mbajtur të gozhduar para ekranit shqiptarët.
Spektakli kaq shumë i pëlqyer është bërë tema e mbrëmjes dhe në shumë lokale e restorante, ashtu që kjo finale do të ngjajë me rastet kur tifozët i kanë ndjekur finalet e kampionatit evropian apo botëror të futbollit, e tashmë do të jenë bashku për të ndjekur së bashku finale e Big Brother VIP, ndërsa bëjnë tifo për artistin e preferuar.
18/02/2022 17:51-Në ditën e finales, Fifi, PM dhe DAGZ lansuan këngën “Hana”
Ish-banorët e Big Brother VIP, Filloreta Raçi, DJ PM dhe DJ Dagz, i kanë bashkuar forcat për të sjellë realizimin e parë bashkë pas daljes nga shtëpia e famshme.
Kënga mban titullin “Hana” dhe është kompletuar nga ana vizuale, ndërsa për rastësi është lansuar pikërisht në ditën e finales së madhe.
18/02/2022 17:47-Jonida Maliqi ishte diplomatike në përgjigjen e saj për fituesin
Në komentimin e saj për katër finalistët, Jonida Maliqi kishte thënë se i ka të gjithë miq, përveç Beniada Nishanit që nuk e njeh personalisht.
Por, e pyetur për artistin që ajo mendon se do të fitojë çmimin e madh, këngëtarja dha përgjigje diplomatike.
“Einxheli është vajza e fortë që ia del gjithmonë. Donaldi është ai djali që është dhe jashtë. Iliri me pjekurinë e tij është shumë strateg. Beniada është vajza që do të donim të gjitha ta kishim shoqe. Nuk dua të jap një emër, sepse nuk dua të ndikoj te publiku”.
18/02/2022 17:43-Romeo ka vazhduar me ‘çmenduritë’ e tij për Donaldin
Edhe në prag të finales së madhe të Big Brother VIP, Romeo Veshaj ka vazhduar me mbështetjen e madhe për vëllanë e tij binjak, Donaldin.
Aktori ka mbledhur dhjetëra motoristë me bluza me mbishkrimin “Unë jam Donaldi”, me të cilët është nisur drejt qytetit të Vlorës për të pritur shpalljen e fituesit.
Kjo është vetëm një nga ‘çmenduritë’ e shumta që ka bërë Romeo për Donaldin gjatë rrugëtimit të tij në Big Brother, duke i përfshirë parashutat, karafilat, pankartat dhe helikopterin.
















































