Lisandro kundër Bellingham, ‘lufta’ që vodhi vëmendjen e derbit mes Man Utd dhe Real Madridit

Mbrojtësi i Manchester Unitedit, Lisandro Martinez ka ndezur një tjetër luftë pas një ndërhyrjeje të ashpër ndaj yllit të Real Madridit, Jude Bellingham, në ndeshjen e fituar 2-0 nga Los Blancos.
Argjentinasi mori një karton të verdhë pas një ndërhyrje brutale me dy këmbë që la të rrëzuar nënshkrimin më të ri të Real Madridit.
Lojtarët madrilen nuk e morën me shumë dashamirësi ndërhyrjen, pasi vrapuan shpejt në ndihmë të shokut të ri të skuadrës.
Pak shtyrje dhe tollovi vazhdoi pas ndërhyrjes, ndërsa fituesi i Kupës së Botës kundërshtoi kartonin e verdhë nga gjyqtari.
Mesfushori anglez u hodh menjëherë në ‘përleshje’ pas ndërhyrjes, por gjyqtari bëri mirë që e qetësoi çështjen.
Kjo ‘luftë’ e Lisandros me Bellingham, i bëri jehonë skenave të ngjashme në fundjavën mes Manchester United dhe Arsenalit pasi argjentinas bëri një ndërhyrje tjetër të tmerrshme ndaj Bukayo Saka.
Mbrojtësi argjentinas është i njohur për të qenë agresiv dhe i dashur për kontaktin fizik dhe ai i ‘dashuron’ këto momente. /Telegrafi/






















































