Lirim Jakupi dëshmitari kyç për Brodecin

Dëshmia e tij, sipas agjencisë INA, do të jetë e rëndësishme pas akuzave dhe materialeve të publikuara që të mërkurën i bëri një banor i fshatit Brodec, i cili në një konferencë me gazetarët publikoi një bisedë të regjistruar telefonike të dy pjesëmarrësve të dënuar për rastin e Brodecit, të cilët po akuzonin kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, si organizator të grupit të armatosur që funksionoi në Brodec.
Lirim Jakupi - Nacisti në fillim të shtatorit të këtij viti u arrestua nga policia e Kosovës dhe po vuan dënimin në Burgun e Dubravës, pas arratisjes nga ky burg më 18 gusht të vitit 2007, së bashku me shtatë të burgosur të tjerë.
Pas kësaj periudhe ai iu bashkëngjit grupit të armatosur që funksiononte në Malësinë e Sharrit, kryesisht rreth fshatit Brodec, ku pas ndërhyrjes të forcave policore maqedonase në këtë fshat më 7 nëntor të vitit 2007, në aksionin “Stuhia malore” u vranë gjashtë persona pjesëtarë të grupit të armatosur, ndërsa u arrestuan 13 banorë të tjerë të fshatit, të dënuar me 192 vite burg për aktivitete kundër rendit shtetëror dhe vepër terroriste. Gjatë këtij aksioni, Lirim Jakupi kishte arritur që të arratisej.
Ndryshe, Lirim Jakupi është i dënuar në mungesë me 15 vite burg nga gjyqësori në Maqedoni për veprimtari terroriste në rastin e Brodecit, ndërsa në Kosovë ai akuzohet për rrëmbim dhe më pas arratisje nga Burgu i Dubravës. Ai ka qenë ish-pjesëtarë i UÇK-ve në Kosovë, Luginë të Preshevës dhe Maqedoni. /Telegrafi/




















































