LAJMI I FUNDIT:

Lindja me operacion ose prerja Cezariane (Sectio Cesarea)

Lindja me operacion ose prerja Cezariane (Sectio Cesarea)

Prerja Cezariane është lindja e bebes përmes prerjes që bëhet në barkun dhe mitrën e shtatzënës.

Ass. dr. Memli Morina, mr. sci
gjinekolog – obstetër
tel. 045 725 725

Ndonjëherë prerja Cezariane planifikohet paraprakisht, kurse në rastet tjera lindja duhet të kryhet me operacion për shkak të komplikimeve të cilat nuk ka qenë e mundur të parashikohen paraprakisht.

Përqindja e lindjeve me operacion në Kosovë është rreth 30% që do të thotë se afërsisht çdo e treta grua lind me operacion, shkruan Telegrafi. Kjo përqindje është në rritje të vazhdueshme nga viti në vit; që nga viti 2000, është rritur trefish.


Ka raste kur është e pashmangshme që një grua të lind me operacion (për të siguruar mirëqenien e gruas dhe/ose të bebes), prandaj është mirë që shtatzënat te jenë të informuara se çfarë ndodhë gjatë lindjes me operacion nëse lind nevoja që lindja të kryhet me operacion. Arsyet (indikacionet) se përse lindja duhet të kryhet me operacion janë për shembull: nëse shtatzëna ka pasur operacion në mitër (miomektomi); nëse ka lindur paraprakisht me prerje Cezariane (ndonëse është e mundur që një grua të lind më rrugë vaginale edhe nëse lindja paraprake ka qenë me operacion, por kjo varet nga indikacioni për të cilin është kryer prerja Cezariane paraprake); nëse shtatzënia është me binjakë (ndonëse në disa raste binjakët mund të lindin me rrugë vaginale); nëse bebja prezenton me pelvik (pra me pjesën e poshtme të trupit); nëse shtatzëna ka placenta previa (që do të thotë se placenta është e ngjitur në pjesën e poshtme të mitrës dhe e mbulon kanalin e lindjes); nëse shtatzëna ka probleme me kanalin e lindjes; nëse bebja është shumë e madhe për kanalin e lindjes etj.

Ndodhë shpesh që lindja fillon në mënyrë normale, por gjatë rrjedhës së saj ndodhë ndonjë komplikim. Në këto raste është e nevojshme që bebja të nxirret sa më shpejt në mënyrë që të ruhet mirëqenia e saj. Ndodhë që gjatë rrjedhës së lindjes të rrahurat e zemrës së bebes bëhen më të ngadalshme ose çrregullohen gjë që tregon për shenja të vuajtjes së bebes dhe në këtë rast lindja duhet të kryhet urgjentisht me operacion. Ka raste kur qafa e mitrës nuk hapet edhe përkundër aplikimit të përsëritur të stimuluesve të tkurrjeve të mitrës dhe ky është një indikacion tjetër që lindja të kryhet me operacion. Ka raste kur shtatzëna ka gjakrrjedhje nga mitra që vjen për shkak të shkolitjes (abrupcionit) të placentës dhe duhet që sa më shpejt që të jetë e mundur të kryhet lindja me operacion.

Gjithmonë, përpara operacionit gjinekologu ia sqaron shtatzënës arsyen se përse konsideron se lindja duhet të kryhet me operacion. Indikacionet shkruhen në kartelën e pacientes dhe shtatzëna (e ndonjëherë edhe burri i saj) nënshkruan se ka kuptuar arsyen se përse operacioni është i nevojshëm dhe se pranon që të lind me operacion.

Anestezioni gati gjithmonë është spinal; shumë rrallë prerja Cezariane duhet të kryhet me anestezion të përgjithshëm. Anestezioni spinal është shumë më i përshtatshëm dhe më pak i rrezikshëm se sa anestezioni i përgjithshëm. Kur prerja Cezariane kryhet me anestezion spinal, shtatzëna nuk ndjen dhimbje dhe mpihet prej belit e teposhtë, kurse ajo dëgjon dhe komunikon me mjekun e saj.

Përpara se të fillon operacioni shtatzënës i vendoset kateteri urinar dhe vendoset kanila në venë për të dhënë tretje fiziologjike.
Shtatzënës i jepet antibiotik për të parandaluar infeksionin (rekomandohet që antibiotiku të jepet para se prehet lëkura).

Pasi që shtatzëna të shtrihet në tavolinën e operacionit, pastrohet lëkura me betadinë dhe mbulohet me kompresa sterile. Gruaja nuk mund të shohë se çfarë ndodhë gjatë operacionit. Burri i saj mund t’i qëndrojë tek koka dhe pasi që të lind bebja ata mund ta mbajnë beben së bashku.

Sot, gjithmonë prerja në lëkurë bëhet horizontale; quhet “prerja bikini” sepse bëhet nën vijën e brekëve. Pasi që të prehet lëkura, prehen edhe shtresat tjera dhe krijohet qasje deri tek mitra. Edhe mitra prehet në mënyrë horizontale dhe shumë shpejt nxirret bebja. Zakonisht, prej momentin kur prehet lëkura e deri te lindja e bebes nuk kalojnë më shumë se 2-3 minuta.
Beben e merr mamia dhe ajo kontrollohet nga neonatologu. Gjatë kohës derisa neonatologu është duke e kontrolluar beben, gjinekologu e nxjerrë placentën dhe e vazhdon operacionin duke mbyllur mitrën dhe shtresat e barkut.
Zakonisht, që nga momenti kur lind beba, operacioni zgjatë edhe rreth 30 minuta tjera.

Pasi që është ekzaminuar bebja, neonatologu ia ofron gruas dhe burrit të saj. Këto janë momente shumë të lumtura për gruan dhe për burrin e saj. Ata e puthin dhe e ledhatojnë beben e porsalindur, kurse gruaja mund t’ia ofrojë gjirin që nga ky moment.
Lëkura qepet me pe të hollë dhe vraga në lëkurë është gati e padukshme.

Pasi që të kryhet operacioni, gruaja bartet në kujdesin intensiv kur do të përcillet gjendja e saj e përgjithshme. Gjatë kësaj kohe gruas i jepen infuzione deri sa ajo të fillojë të pijë dhe të hajë normalisht.

Zakonisht, gruaja e cila ka lindur me operacion mund të shkojë në shtëpi ditën e tretë pas intervenimit. Gjatë momentit të lëshimit në shtëpi, gjinekologu i jep sqarime lidhur me ndryshimet të cilat mund të ndodhin në ditët në vijim.

Normalisht, që lindja me operacion bart më shumë rreziqe se sa lindja vaginale. Nënat të cilat lindin me operacion ka më shumë gjasa që të kenë infeksion, gjakrrjedhje, më shumë dhimbje pas lindjes, duhet të rrinë më gjatë në spital (gratë të cilat lindin me rrugë vaginale lëshohen në shtëpi ditën e nesërme pas lindjes). Lindja me operacion nuk mund të konsiderohet si alternativë për lindjen vaginale, por nëse do të duhet që të kryhet prerja Cezariane, shtatzëna nuk duhet ta ndjejë veten në rrezik, sepse për shkak të numrit të madh të operacioneve kemi përvojë dhe aftësi për të menaxhuar cilindo komplikim që mund të ndodhë gjatë intervenimit. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Plaga e hapur në lukth: Të gjitha simptomat e të thatit dhe si t’i zbusim vështirësitë e pakëndshme!

Plaga e hapur në lukth: Të gjitha simptomat e të thatit dhe si t’i zbusim vështirësitë e pakëndshme!

Shëndetësi
Kalo në kategori