Limaj: Kushtetuta është sfiduar disa herë edhe nga vetë udhëheqësit e institucioneve
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se sot bëhen 11 vjet kur Kosova miratoi aktin më të lartë juridik të vendit, Kushtetutën, e cila thotë Limaj kurorëzoi pavarësinë tonë.
Limaj në një postim në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se Kushtetuta e Kosovës ngërthen në vete përpjekjet shekullore për shtet e barazi ligjore.
Postimi i plotë: Sot bëhen 11 vjet kur Kosova miratoi aktin më të lartë juridik të vendit, Kushtetutën, e cila e kurorëzoi pavarësinë tonë. Kushtetuta e Republikës së Kosovës ngërthen në vete përpjekjet tona shekullore për shtet e barazi ligjore dhe është garantuese e të drejtave dhe lirive të të gjithë qytetarëve të vendit tonë, pa dallim gjinie, moshe e përkatësie fetare dhe etnike. Në këto 11 vite, Kushtetuta është sfiduar disa herë edhe nga vetë udhëheqësit e institucioneve, por angazhimi i të gjithë neve duhet të jetë gjithmonë në funksion të realizimit të synimeve të deklaruara në Kushtetutën e Kosovës. Gëzuar 9 Prilli - Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës! /Telegrafi/






























