Kandidati për kryeministër të Kosovës nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë nesër në tubimin e hapjes së fushatës për zgjedhjet parlamentare 2019.

Limaj përmes një shkrimi të bërë në Facebook, ka shkruar se gjatë fushatës zgjedhore para politikanëve dhe qytetarëve shtrohet angazhimi dhe përgjegjësia e organizimit të një fushate të ndershme, demokratike, me integritet dhe të bazuar në ligj, duke respektuar plotësisht Kodin e Mirësjelljes, për të krijuar kushte për zgjedhjen e përfaqësueseve tanë përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, transmeton Telegrafi.


Shkrimi i plotë: "Të dashur anëtarë, aktivistë dhe simpatizantë të koalicionit tonë fitues, NISMA-AKR-PD, Të nderuar qytetarë, Na ndajnë vetëm pakë orë nga hapja zyrtare e fushatës për zgjedhjet parlamentare 2019. Ne po futemi në periudhën e fushatës zgjedhore, andaj para neve dhe juve shtrohet angazhimi dhe përgjegjësia e organizimit të një fushate të ndershme, demokratike, me integritet dhe të bazuar në ligj, duke respektuar plotësisht Kodin e Mirësjelljes, për të krijuar kushte për zgjedhjen e përfaqësueseve tanë përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme. Mbështetës të dashur, Jemi bërë Bashkë për Shtetin, boshti ynë politik është alternativa më e duhur për vendin, e për këtë, më meritorët sigurisht që jeni Ju. Për ta filluar rrugën tonë të fitores më 6 tetor, si kandidat për kryeministër nga koalicioni fitues, NISMA-AKR-PD, me shumë kënaqësi ju ftoj që të merrni pjesë në tubimin e hapjes së fushatës për zgjedhjet parlamentare 2019! FL Data: E MËRKURË, 25 SHTATOR 2019 Koha: 18:00 Vendi: SALLA 1 TETORI - PRISHTINË"./Telegrafi/