Ligjet e miratuara në Kuvend, nuk përkthehen në shqip

Në faqen e internetit të Ministrisë së Drejtësisë, ku publikohen të gjitha ligjet e miratuara dhe ligjet në procedurë, nuk mund të gjeni ligje të përkthyera në gjuhën shqipe, madje as në versionin shqip të kësaj uebfaqeje (shih linkun: https://pravda.gov.mk/resursi.asp?lang=shq&id=01 )
Përveç kësaj, versioni në shqip i uebfaqes së Ministrisë së Drejtësisë përmban një sërë gabimesh drejtshkrimore dhe devijim të gjuhës shqipe. Në faqen zyrtare të Ministrisë janë të shkruara fjalë dialektore, si “të nxjerruna” në vend se “të miratuara”, ose fjalë të adaptuara nga maqedonishtja, si “amandmane” në vend se “amendamente”, gjithashtu pa gjetur përdorim të shkronjës “ë” në këtë uebfaqe, transmeton Alsat-m.
Edhe pse i obliguar me ligj që të gjitha materialet e shkruara t’i përkthejë dhe publikojë edhe në gjuhën shqipe, një gjë të tillë nuk e bën as Parlamenti i Maqedonisë. Në uebfaqen zyrtare të Shtëpisë Ligjvënëse, versionin në shqip, nuk ekziston kategoria “materiale”, ku duhet të publikohen Draft-Ligjet dhe amendamentet e dorëzuara në Kuvend.
Këto të dhëna publikohen vetëm në gjuhën maqedonase, në versionin maqedonisht të uebfaqes së Kuvendit. Kuvendi i Republikës së Maqedonisë ka miratuar Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe në korrik të vitit 2008. 5 vite pas sjelljes së këtij Ligji, përkthimet e ligjeve në gjuhën shqipe ende nuk janë të disponueshme për qytetarët shqiptarë në Maqedoni. /Telegrafi/




















































