Vetëm në dy javët e para të nëntorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje, ka takuar diasporën kosovare në së paku katër shtete të Evropës: Zvicër, Austri, Norvegji dhe Gjermani.
Në postimet e bëra në Facebook, ai shkruan se takimet me bashkatdhetarë i ka të shpeshta dhe i falënderon ata për mikpritjen.
“Me afër 300 mijë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Zvicër, ne jemi shumë krenarë për lidhjet e forta, të cilat i kemi ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës”, shkruan në njërin prej postimeve më 2 nëntor.
Në më pak se tre muaj, Kosova do t’i mbajë zgjedhjet e rregullta parlamentare.
Përfaqësues të disa partive opozitare dhe njohës të zhvillimeve politike thonë se udhëheqësit e Qeverisë janë duke i shfrytëzuar ambasadat dhe burimet e shtetit të Kosovës për fushatë elektorale.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, konfirmon se disa prej takimeve të tilla, në të cilat ka marrë pjesë edhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, janë organizuar nga ambasadat dhe konsullatat e Kosovës në vendet përkatëse, e disa nga vetë Lëvizja Vetëvendosje.
Për të parat, thotë se “njoftimi për organizimin e tyre ka qenë publik dhe ftesa ka qenë e hapur për të gjithë”.
“Në Frankurt ishin të pranishëm deputeti i Bundestagut gjerman, Boris Mijatoviq, dhe anëtari i Parlamentit të shtetit të Hesenit, Stephan Gruger, të cilët kishin edhe fjalë përshëndetëse; në Oslo ishte ish-ambasadori i Norvegjisë në Kosovë; në Vjenë ishin të pranishëm ish-ambasadori i Austrisë në Kosovë dhe anëtarë të Grupit të Miqësisë Kosovë-Austri”, thotë Kryeziu.
Gjatë muajve shtator e tetor, Kurti ka takuar mërgatën edhe në Shtetet e Bashkuara, në Francë dhe në së paku katër qytete të Gjermanisë.
“Organizimet që realizohen nga strukturat partiake, siç ka qenë rasti në Gjermani, muajin e kaluar, nuk kanë të bëjnë fare me organizimet e ambasadave dhe konsullatave. Në ato raste, për takime të tilla nuk shfrytëzohen objektet e institucioneve tona diplomatike, e as burimet financiare të tyre”, thotë Kryeziu.
Sipas tij, në secilin takim me mërgatën, Kurti ka bërë thirrje për regjistrimin online të saj, në kuadër të regjistrimit të popullsisë në Kosovë, si dhe për regjistrimin për votim nga jashtë në zgjedhjet që po afrohen – “pa asnjë paragjykim për preferencat e tyre”.
Afati i diasporës kosovare për regjistrim skadon më 31 dhjetor, ndërsa për votim nga jashtë për zgjedhjet e 9 shkurtit mbyllet më 26 dhjetor.
Akuzat nga opozita
Në tubime me pjesëtarët e mërgatës kosovare në Gjemani dhe Itali, gjatë muajit nëntor, ishte edhe Bedri Hamza, kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër.
“Ne do ta forcojmë dhe institucionalizojmë lidhjen e shtetit me diasporën. Kuvendi do të ketë deputetë që vijnë nga diaspora jonë”, shkroi Hamza në Facebook, pas, siç tha, “tubimit madhështor” në Shtutgart të Gjermanisë.
Nga partia e tij nuk iu përgjigjën pyetjes se kush i financoi tubimet e tyre.
Në një postim në Facebook më 9 nëntor, sekretarja e përgjithshme e kësaj partie, Vlora Çitaku, tha se Qeveria po i përdor ambasadat dhe burimet e shtetit për fushatë elektorale.
“Ditëve të fundit, kryeministri i Kosovës dhe ministrja e Punëve të Jashtme po keqpërdorin hapur pushtetin e tyre politik, paratë e taksapaguesve dhe institucionet tona për të kryer fushatë partiake në diasporë”, tha Çitaku.
Sipas saj, Qeveria “po tenton të kamuflojë agjendën partiake si punë zyrtare qeveritare”.
Ajo nuk i përmendi tubimet e partisë së saj në diasporë.
Tubim me mërgatën në Zvicër mbajti edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në fund të shtatorit.
Por, sipas Muharrem Nitajt, i cili drejton shtabin zgjedhor të AAK-së, ai është mbuluar financiarisht nga fondi i partisë dhe partia nuk ka kërkuar ndihmë nga ambasada.
Nitaj, po ashtu, thotë se Kurti dhe Gërvalla, përmes ambasadave të Kosovës, organizojnë tubime me pjesëtarët e mërgatës dhe bëjnë fushatë parazgjedhore.
“Nuk ka problem që kryeministri të zhvillojë fushatë, por së paku atë do të duhej ta zhvillonte nën petkun e partisë së vet politike dhe jo t’i shfrytëzojë përfaqësitë diplomatike që i ka Kosova nëpër vende të ndryshme të BE-së ose në SHBA”, thotë Nitaj.
Sipas tij, çështjet për të cilat Kurti e Gërvalla thonë se u kanë bërë thirrje pjesëtarëve të mërgatës, nuk janë kompetencë e tyre, por e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, përkatësisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Lidhja Demokratike e Kosovës, deri më tash, nuk ka të publikuar ndonjë takim me pjesëtarët e diasporës.
Zyrtarët e saj nuk iu përgjigjën kërkesave të REL për t’i komentuar takimet e organizuara të liderëve me diasporën.
A mund të organizojnë e financojë tubime ambasadat?
Ish-ambasadori i Kosovës në Gjermani, Skënder Xhakaliu, duke u bazuar në përvojën e tij disavjeçare si diplomat, shpjegon për Radion Evropa e Lirë se roli primar i ambasadave është përfaqësimi diplomatik i Kosovës në vendet përkatëse ku janë ato.
Sipas tij, në kuadër të vizitave diplomatike të krerëve të institucioneve shtetërore në vendet nikoqire, “mund të organizohen edhe takime me bashkatdhetarët, për shkak të informimit të nevojshëm të tyre”, lidhur me çështje të caktuara.
“Jashtë vizitave diplomatike, natyrisht që çdo institucion i qeverisë apo çdo individ i partisë politike ka të drejtë të organizojë tubime, por ato janë tubime jashtë procesit diplomatik”, thotë Xhakaliu.
Ai shton se ndihma që ofron shërbimi diplomatik, duhet të jetë vetëm mbi bazën e përfaqësimit diplomatik, ku nuk hyjnë organizimet e tubimeve.
Tubimet e tilla, sipas tij, mund të organizohen nga individë, shoqata apo organizata të ndryshme, të cilat kanë të drejtë të ftojnë përfaqësues institucionesh, liderë të partive etj.
“Për çdo organizim që bëhet jashtë përfaqësimit diplomatik, ambasadat dhe shërbimet konsullore nuk kanë obligime financiare”, thotë Xhakaliu.
“Fjalime elektorale” në tubimet me mërgimtarët
Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu” në Prishtinë, thotë se takimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe zëvendëskryeministres Donika Gërvalla me pjesëtarët e diasporës së Kosovës në vende të ndryshme evropiane, janë tubime parazgjedhore.
Sipas tij, fjalimet e zyrtarëve të lartë qeveritarë të Kosovës në këto tubime kanë përmbajtje politike dhe elektorale.
“Fjalimet që i ka publikuar zëvendëskryeministrja dhe kryeministri, thjesht, janë elektorale. Po ashtu, ka pasur raste ku takimi është mbajtur nga kryeministri, lajmërimi ka dalë nga Zyra e Kryeministrit, por njëkohësisht edhe nga ana e partisë [Lëvizjes Vetëvendosje]. Krejt këto janë të lidhura me njëra-tjetrën”, thekson Demhasaj.
Ai shton se, në këtë kontekst, zyrtarët e Qeverisë janë duke i keqpërdorur resurset publike për interesa partiake.
“Po keqpërdoren resurset publike, sidomos ambasadat, sepse krejt këto takime po ftohen, po organizohen nga ana e ambasadave të Kosovës me diasporë dhe, pastaj, kryeministri dhe zëvendëskryeministrja po shkojnë dhe po bëjnë fushatë në këto takime”, thotë Demhasaj.
Diaspora e Kosovës është e përqendruar kryesisht në Gjermani, Zvicër, Austri dhe vende të tjera të Evropës.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, deri në fund të vitit 2018, ka qenë mbi 850.000.
Ndonëse partitë politike në Kosovë kanë nisur takime dhe tubime edhe me qytetarë brenda Kosovës, me rregulloren e KQZ-së, periudha e fushatës së zgjedhjeve fillon 30 ditë para ditës së zgjedhjeve.
Në rastin konkret, sipas KQZ-së, periudha e fushatës zgjedhore për partitë politike dhe kandidatët e certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit, fillon zyrtarisht më 11 janar, 2025. /REL/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
Nga Franca për Kosovën: Rektori i UBT-së nderohet me çmimin “European Quality Leader First Finalist” nga Organizata Evropiane për Cilësi
Kush është Stane Gashi, “nëna e UÇK-së”
Dita Ndërkombëtare e Tolerancës, Gashi: Diversiteti është bukuri, t’i respektojmë të gjithë pa dallim
Raportet Kosovë-Serbi, Steinbaum: Shkëmbimi i territoreve mund të rikthehet si ide nga administrata Trump
Kush është Stane Gashi, "nëna e UÇK-së"
Kosova gëzon mbështetjen e Suedisë për anëtarësim në BE dhe NATO
Fundjavë me temperatura dimërore në Kosovë
Rasti i 2.1 milionëshit, zëvendësministri Sallahu: 500 mijë euro janë në një bankë në Turqi, po punojmë me autoritetet atje që t’i kthehen Thesarit të Shtetit
Detaje nga dosja: Viktimat e të pandehurit kishin lënë një takim para vrasjes në Klinë, një familjar tha se 'do të marrë hak'
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Platforma ku mund ta shikoni duelin e vitit Jake Paul - Mike Tyson
Cristiano Ronaldo po largohet nga Al Nassr shkaku i garës së FIFA-s
Publikohet lista e plotë me rregullat kontroverse për luftën Mike Tyson - Jake Paul
Trump dëshiron ta mbyllë Departamentin e Arsimit - çfarë do të thotë kjo për edukimin shkollor
Ledri Vula e pranon se ka fjetur me një fanse
John Thune zgjidhet kryetar i Senatit Amerikan - kandidati që donin shqiptaro-amerikanët