LAJMI I FUNDIT:

Librat për Skënderbeun që tmerronte armiqtë dhe joshte femrat

Librat për Skënderbeun që tmerronte armiqtë dhe joshte femrat

“Mos harro, dashuria e sulltan Muratit për mua nuk do të më bëjë kurrë të harroj që dikur ju kam pas dashuruar…”. Me këto rreshta, Melisa, e preferuara e sulltan Muratit, mbyll letrën e shkruar pas mesnate për princin shqiptar, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Ndërsa jehona e emrit dhe forcës së tij po rritej brenda Perandorisë Otomane, po kështu po rritej dhe rreziku që vinte nga xhelozitë brenda oborrit. Por, Melisa donte ta mbronte me forcën e një gruaje që kërkon ta ruajë nga çdo gjë dashurinë e saj.

Ajo nuk ishte veçse e bukura e sulltan Muratit, por dhe gruaja që kujdesej të kapte në kohë çdo rrezik që mund t’i kanosej të dashurit të saj sekret…

“Skënderbeu ose aventurat e princit të Shqipërisë”, quhet romani që gjendet në arkivat e Bibliotekës Kombëtare që daton në vitin 1732. I botuar për herë të parë në Francë, për shumë vite libri do të kthehej në një nga romanet më të përfolura në sallonet parisiene. Kjo, pasi personazhi kryesor i kësaj romance të shkruar thjesht, ishte një prej figurave më të rëndësishme të Evropës së shekullit XVI-XVII. E frymëzuar nga heroizmi, por dhe portreti i një burri që kishte mundur të rebelohej ndaj Perandorisë Otomane dhe të ngrinte fortesën në vendlindjen e tij, Shqipëri, kjo shkrimtare anonime ka dashur ta shohë më thellë këtë personazh.


Përtej ambicieve për pushtet, ajo kërkon të hulumtojë brenda psikikës së Skënderbeut si një burrë i pashëm, i gjatë dhe që ëndërrohej nga çdo vajzë e asaj periudhe. Ai ishte princi ideal që çdo vajzë do të donte t’i mbërrinte një ditë në derë. Por në këtë roman, është sulltanesha bullgare me emrin Alzelidë që e dashuron atë. Romani është i ngritur mbi intrigën, gjë e cila ishte normale brenda një perandorie të madhe.

Është Melisa ajo që nëpërmjet një letre e njofton Skënderbeun për dashurinë që Alzelida ka për të. Por, qëllimi i Melisës nuk ishte vetëm lumturia e Skënderbeut, por dhe eliminimi i një rivaleje në sytë e sulltan Muratit. Ja çfarë i shkruan ajo: “Nuk mund të rri pa ju lajmëruar, o trimi Skënderbej, që të ruheni nga joshjet e sulltanës Alzelide. Nuk ka në saraj asgjë që të mund të krahasohet me atë për sa i përket bukurisë, ndonëse sulltani nuk ka dhënë akoma asnjë shenjë që të ndiejë dashuri ndaj saj. Shikimet e saj, ngulur mbi ju, gjatë ndeshjes, ndrojtjen që ajo shfaqte gjatë çdo rreziku që ju kërcënonte, më kanë bindur krejtësisht që ajo ju dashuron. Po kjo ndrojtje po më detyron gjithashtu të zbuloj para jush një dashuri, të cilën ajo nuk do të guxonte kurrsesi t’ua shfaqte vetë. Prandaj shikoje nesër në ballkon, nëse jua lejon shëndeti. Ajo do të gjendet në ballkon po në këtë orë bashkë me mua. Ju lutem që të më njoftoni nëpërmjet të njëjtin eunuk, vullnetin tuaj”.

Pasi lexon këtë letër, Skënderbeu del që të nesërmen në ballkon të sarajit, ku me sy të magjepsur për herë të dytë ai ishte goditur rëndë nga bukuria e sulltaneshës Alzelidë. Ajo iu duk një mijë herë më e bukur nga ç’i ishte dukur, ndonëse kishte rënë tashmë në dashuri me të, që në kohën kur sulltani ia kishte hapur sytë mbi të gjitha kryeveprat e bukurisë.

Më pas ai ulet dhe i kthen përgjigje sulltaneshë Melisës, duke i thënë se: “Skllav i vockël i një Zotërie kaq të Madh, a mundem vallë të shpresoj për të marrë nga dora e saj një thesar kaq të çmueshëm, të cilin tërë gjaku im i derdhur nuk do ta meritonte kurrë? Në rast se fatmirësi e tillë më ndodh, këtë ia detyroj mirësisë tënde, si dhe asaj të tim zoti për tërë çastet e jetës sime, të cilët nuk do t’i shpenzoj veçse për prodhimin e lavdisë së armëve të tij …”.

Pasi mori këtë përgjigje Melisa nuk mendonte gjë tjetër veçse si ta çonte deri në fund planin, për të bashkuar Skënderbeun me Alzelidën.

Skënderbeu kthehet i gjithi në një burrë romantik, kur Alzelida mbërrin në sarajin e tij. Ja si e përshkruan shkrimtarja momentin kur ai i duhet t’i ngrejë vellon mbi ballë. “Nëse një fatkeqësi e papritur na godet aq rëndë sa të na ngrijë ndjenjat, befasia dhe gëzimi i qejfeve, për shkak të një akti të kundërt, na merr gojën dhe nuk na lejon që të veprojmë.

Pikërisht një gjë e tillë i ndodhi dhe princit të Shqipërisë, të cilit iu desh shumë kohë që ta merrte veten nga kjo habi e madhe: gjuha e tij penguar e tëra nga emocionet nuk mund të shpjegohej; kishte mbetur fare e palëvizur; por, pas ca kohësh, ai i foli kështu së bukurës Alzelidë: Cila do të ketë qenë ajo Zanë e mirë që, për të më bërë më të lumturin e burrave, ma ka zbritur këtë yll që nga qielli dhe cili delfin mizor, o zonjë e madhe, po e ndryshon fatin tuaj të lumtur për hir të një skllavi fatkeq, të cilin po e lumturojnë me një dhuratë që ai nuk e ka merituar? …

Zonjë e madhe, i tha ai, unë nuk do ta quaja asgjë, lavdinë e një dueli; të cilën i tërë gjaku im nuk do të kishte mjaftuar për t’Ju merituar, në qoftë se nuk do të shpresoja që dashuria ime e pamasë do të më bënte të denjë për një thesar kaq të çmuar? Ah, Alzelida ime e bukur! – vazhdoi ai, të lutem me përgjërime të mos e refuzosh lutjen time për ta hequr atë vello që ma mbulon nurin e bukurisë tënde dhe nuk do të abuzoja aspak me pushtetin e sulltanit, i cili të bën timen, o e bukura Alzelidë, në kundërshtim me dashurinë.

”Romani është i mbushur me pasazhe dashurie mes Skënderbeut dhe Alzelidës, por dhe me fakte interesante historike nga jeta e tij. Duket se autorja është njohur mirë me jetën e Skënderbeut dhe vendin e tij, Shqipëri, përpara se të shkruante këtë roman. Ky roman është i shkruar nën frymëzimin e një prej figurave më të rëndësishme të historisë sonë, siç është Skënderbeu. Ndërsa kemi parë tablo, vepra muzikore, libra studimorë apo historikë që çdo vit pasurohen me prurje për këtë figurë, romanet për këtë personazh janë më interesantet.

Antonio Xonkarda ka shkruar më shumë se dy shekuj më parë një tjetër roman dashurie për Skënderbeun. Duke treguar rrugën e prijësit shqiptar drejt triumfit ndaj Perandorisë Osmane, ai ndalet në një histori dashurie që e bën të kthejë sytë nga Stambolli. Është Zulejka, vajza e Sulltan Muratit, ajo që i ka rrëmbyer zemrën.

“Skënderbeu e deshi Zulejkën. Turkesha me sytë e zinj dhe flokët që i binin lehtë mbi qafën e hollë e kishte magjepsur qysh fëmijë. Mbrëmjeve ai lutej për portretin e saj dhe mëngjeseve nuk mendonte gjë tjetër veç të shihte siluetën e saj larg tek ecte me fustanin e gjatë në kopshtin e oborrit mbretëror. Dashurinë ia shprehu përmes letrash. Në kartën e bardhë i shkroi me duart që i dridheshin gjithë atë çfarë zemra e tij mbante brenda prej vitesh. I tha se ishte gati të bënte luftëra dhe do të ishte gjithnjë një kalorës i denjë për dashurinë e saj. Ajo i ruante me kujdes letrat të gjitha bri shtratit ku flinte, derisa një mbrëmje doli fshehurazi nga pallati për të shkuar aty ku ushtari i pashëm nga Shqipëria flinte, për t’i thënë se zemra e saj i përket të tijës”, shkruan Xonkada.

Kthimi në Shqipëri, pas vdekjes së të atit, do të ishte fatal për dashurinë mes tyre. Shkrimtari italian tregon se Skënderbeu i ruajti gjithmonë letrat e shkruara nga Zeljeka. Por, ndërsa shkrimtarët e huaj, të ndërtojnë jo vetëm një hero, por edhe një dashnor të madh, në historinë e letërsisë shqipe romanet kushtuar Skënderbeut janë të karakterit patriotik. Janë të shumtë librat kushtuar këtij personazhi. Gjergj Zheji, do të përjetonte këtë personazh në romanin “Kalorësi i Skënderbeut”.

Naum Prifti do shkruante “Legjenda dhe rrëfime për Skënderbeun”, ku ndër të tjera e sheh Skënderbeun dhe në raport me njerëzit e familjes siç është marrëdhënia me të motrën. Librat për Skënderbeun do të nisnin të botoheshin që në shekullin e XV-të. Libri i parë është shkruar në vitin 1480 nga shkrimtari serb, Martin Segon, një nga humanistët më të njohur të shekullit të XV-të. Libri tjetër është shkruar po nga një shkrimtar tjetër serb, Konstandin Mihaloviq, i cili ka qenë dhe ushtar në Perandorinë Otomane.

Në Evropën Perëndimore librat mbi Skënderbeun filluan të shfaqen në fillim të shekullit XVII-të. Raffaelo Maffei botoi në Romë më 1506, një biografi të shkurtër për heroin shqiptar. Më pas do të ishte shqiptari Marin Barleti ai që do të shkruante historinë e Skënderbeut më 1508, e para vepër monumentale për këtë figurë. Në shekullin e 16-17, libri i Barletit do të përkthehej në disa gjuhë të huaja. Shumë figura të tjera do të frymëzoheshin nga ky personazh.

Dramaturgu spanjoll, Luis Velez de Guevara do të shkruante tri komedi rreth Skënderbeut. Komedia e parë do të shkruhej në vitet 1608-1610 me titullin “Ushtari shqiptar”, e dyta “princi Skënderbe”, e shkruar në periudhën 1620-1628, dhe e treta “Princi sllav” më 1629. Më 1634, shkrimtari Giambattisa Basile do të shkruante një libër frymëzuar nga Skënderbeu. Janë të pafundme krijimet letrare frymëzuar nga historia e Skënderbeut, një histori e cila është padyshim krenaria jonë. Një pjesë e tyre janë të pazbuluara bibliotekave të botës, të shkruara nga adhurues, apo shkrimtar që panë tek ai modelin më të mirë për personazhin e tyre… /Gazeta Shqip/

Në trend Kultura

Më shumë
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?

Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?

Kulture
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar

Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar

Kulture
145

145

Poezi
Art me letër

Art me letër

Kulture
REFLEKTIME

REFLEKTIME

Poezi
Kalo në kategori