Ass. dr. Memli Morina, mr. sci
gjinekolog – obstetër
tel. 045 725 725
Lëvizjet e foshnjë për herë të parë duhet t’i ndjeni midis javës 15 dhe 22 të shtatzënisë. Nëse jeni shtatzënë për herë të parë është e mundur që të mos i ndjeni lëvizjet deri në javën e 25. Lëvizjet më shumë i ndjeni kur jeni në një gjendje të qetë, ulur ose shtrirë.
Thuhet që gratë të cilat kanë më shumë peshë i ndjejnë lëvizjet më vonë se sa gratë të cilat kanë më pak kilogramë. Mos u bazoni në përvojën e shoqeve, kushërirave ose kolegeve të punës të cilat mund t’ju thonë se tashmë është dashur ta ndjeni fëmijën duke lëvizur. Asnjë prej nesh nuk është njësoj me tjetrin – njëlloj.
Edhe foshnjat janë ndryshe nga njëra tjetra – disa janë më të lëvizshme e disa më të qeta. Ju mund të mos i ndjeni lëvizjet, por patjetër që e keni parë foshnjën duke lëvizur kur keni bërë ekzaminim me ultrazë që nga java e 8 e shtatzënisë apo jo?
Shtatzënat i përshkruajnë lëvizjet e para sikurse kanë një flutur nën bluzë. Fillimisht nuk jeni e sigurt se a ishte apo jo lëvizja e foshnjës, por pas disa ditësh do të jeni e sigurt se PO, ishte bebja, dhe nuk ishin lëvizjet e zorrëve.
Në fillim lëvizjet janë të rralla, por me kalimin e javëve ato bëhen gjithnjë më të forta dhe më të shpeshta. Në tremujorin e fundit të shtatzënisë, foshnja lëviz rreth 30 herë brenda një ore, por nuk është e thënë se ju duhet ta ndjeni atë, sa herë që ajo lëviz.
Foshnja mund të lëviz me dhjetëra herë dhe ju të mos e ndjeni ose ta ndjeni vetëm 2-3 herë.
Foshnjat flenë edhe në mitrën e nënës dhe nuk e dinë se a është ditë apo natë, kështu që shpeshherë lëvizin atëherë kur ju jeni e lodhur dhe jeni për gjumë. Shpeshherë këto lëvizje ju prishin edhe gjumin.
Fëmija, lëvizjet më të shumta i bën prej orës 20.00 deri në ora 2 pas mesnate; mendohet se këto lëvizje më të shprehura kanë të bëjnë me nivelin e sheqerit në gjakun tuaj.
Mos u preokuponi shumë më numrin e lëvizjeve dhe mos u përpiqni që t’i numëroni ato. Nuk ka fakte shkencore që provojnë se numërimi i lëvizjeve të foshnjës është tregues i mirëqenies së bebes, por nëse ju duket se foshnja lëviz më pak se më parë, konsultohuni me mjekun tuaj. /Telegrafi/