Më 7 prill të vitit 2011, oficerja e lartë e Policisë së Kosovës, Atifete Jahjaga, me votim të fshehtë zgjidhet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës për presidente të vendit.
Jahjaga ishte kandidate e përbashkët e Partisë Demokratike të Kosovës, e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re. Siç dihet, ky emër i panjohur më parë për masat, doli në pah pas ndërhyrjes së ish-ambasadorit amerikan, Christopher Dell, me arsyetimin që të shmangen zgjedhjet e reja parlamentare. Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte vendosur më 28 mars 2011 se zgjedhja e Behgjet Pacollit për president Republike, në seancën e 22 shkurtit, ishte jokushtetuese (pa çka që më vonë, sipas ish-kreut të Kushtueses, Enver Hasanit, Pacolli del se ka qenë president dhe se s’ka pasur nevojë të japë dorëheqje). Ndaj, Jahjaga u pa si “shpëtim”.
Sipas marrëveshjes së liderëve të tri partive të sipërpërmendura – Hashim Thaçit (PDK), Isa Mustafës (LDK) dhe Behgjet Pacollit (AKR) – të arritur më 6 prill, zgjedhja e Jahjagës kushtëzohej me formimin e një Komisioni për reformën e zgjedhjeve presidenciale, që do të hartonte çfarëdo legjislacioni të nevojshëm për të amendamentuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në mënyrë që presidenti të zgjidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga populli. Synimet ishin që ky komision të përfundojë punën e vet brenda 6-9 muajve – nga data e themelimit të tij.
Ky Komision kurrë nuk e përfundoi punën. Por, edhe sikur ta përfundonte, Gjykata Kushtetuese në korrik 2012 del me vendimin se Jahjaga mund ta kryejë mandatin e plotë pesëvjeçar, si e para e shtetit.
Zgjedhja e Jahjagës për presidente, si kandidate konsensuale apo “nga zarfi” – siç përmendet shpesh – në shtetet normale nuk do të vinte kurrë në shprehje. Mirëpo, në këtë anomali ordinere për Kosovën, ky vendim ka mundur të ndikojë pozitivisht në rrjedhat politike të Kosovës, meqë ajo i takonte një institucioni goxha të besueshëm te qytetarët – Policisë së Kosovës – ndërsa nuk ishte pjesë e politikës dhe lojërave të ndyta që e dëmtuan vendin ndër vite. Zgjedhja e saj ngjalli edhe shpresa te qytetarët, se më në fund pushtetarët e Kosovës nuk mund t’i realizojnë deri në fund planet e tyre për të sunduar me çdo kusht e me çdo çmim.
Shpresa shpejt u tret. Sepse, posti dhe pushteti dolën të jenë më me rëndësi për Jahjagën se e vërteta dhe mirëqenia e qytetarëve të Kosovës. Në këtë aspekt, gafat e saj të shumta në paraqitjet publike, mund të falen. Por, jo edhe mungesa e sinqeritetit dhe tendenca për të kamufluar çdo dështim të politikës së Kosovës.
Presidentja, që nuk ishte pjesë e politikës, shpejtë u indoktrinua me etjen për pushtet, me komoditetet që kolltuku i postit të saj i ofron. Ajo u bë zëdhënëse e mirë e arsyetimit të çdo dështimi. Ajo e din se të jesh presidente e një shteti të dështuar nuk është nder i madh, ndaj flet vetëm për suksese – një projektim të realitetit, që mbase ka nisur ta besojë.
Kështu mund ta kenë mësuar këshilltarët, por ky nuk është arsyetim, përderisa asnjë raport ndërkombëtar nuk po i sheh këto suksese, e sidomos populli që po i vuan më së shumti dështimet e politikës. Arsyetim nuk mund të jetë as mosdija, sepse populli ka një përgjigje edhe për këtë: për vete po di mirë, a!?
Me atë që di, ajo komunikon me sensin e shmangies nga realiteti. Mjafton të lexohen komunikatat që vijnë nga Presidenca, nga takimet që Jahjaga ka me delegacionet e huaja, e ku pothuajse në secilën nga to thuhet se presidentja njoftoi për “progresin e rëndësishëm që shteti i Kosovës ka bërë që prej shpalljes së pavarësisë”. Kjo pjesë ndonjëherë modifikohet, por esenca mbetet e njëjtë.
Dakord, në politikë shpeshherë gjërat kamuflohen, por a duhet që fraza “Kosova është një rrëfim suksesi i qytetarëve dhe institucioneve të saj” të jetë pjesë e diskursit nga i cili ajo nuk di kurrë të dalë?
Në Shqipëri tregohet një barsoletë, se si ish-lideri komunist, Enver Hoxha, kishte ftuar një plak në kopshtin e tij që t´i tregonte përralla. Plakut i pëlqeu kopshti me lule, për çka Enver Hoxha ia pret duke i thënë se kështu me lule e kishte bërë tërë Shqipërinë. “A kam ardhur unë të të tregoj përralla ty, apo ti të më tregosh përralla mua?”, pyeti plaku.
Këtë përvojë me “plakun”, Jahjaga e kishte më 25 korrik 2013, kur në Bërdo të Sllovenisë takon presidentin francez, François Hollande. Edhe atij ajo ia reciton “poezinë” e suksesit. Madje, këtë deklamim e bëri në kohën kur azilkërkuesit e Kosovës jetonin në mjerim e për gjynah nën urat e Francës. Por, Hollande, që merret me gjëra konkrete e jo me përralla, i tha troç se po shkakton probleme çështja e atyre që po ikin nga shteti i saj dhe se, ndër të tjera, kjo po ashtu i jep Kosovës një imazh të shëmtuar.
Ky ishte ballafaqimi i saj i parë me një të vërtetë të hidhur, se “poezia” e saj nuk pi ujë gjithkund. Por, ajo vazhdoi me avazin e vjetër, përderisa komunikimi me qytetarët e Kosovës bëhet kryesisht me komunikata për shtyp dhe përderisa asnjë gazetar i Kosovës nuk ka guximin t’ia ndalë “recitalin”. Këtë shkollë të mbrapshtë që e zbatojnë të gjithë pushtetarët, të bishtnimit të realitetit, po del që ajo e ka mësuar shumë mirë.
Por, ndodhi ZDF-i, një ballafaqim me televizionin më të shikuar gjerman që do të duhej ta bënte Jahjagën dhe çdo pushtetar demagog ta vë gishtin në kokë për të ndryshuar për të mbarë. Teksa temë e bisedës ishin shifrat alarmante të migrimit të qytetarëve të Kosovës në Gjermani, Jahjaga si gjithnjë tregoi se si Kosova ka përparuar shumë që prej shpalljes së pavarësisë së saj – në çdo sektor. Por, gazetarja gjermane që e di të vërtetën, ia ndali “recitalin”.
Këtë skandal e panë “vetëm” disa milionë gjermanë e disa milionë shqiptarë, për çka pasoi edhe reagimi tjetër absurd nga Presidenca: fajet i ka organizatori dhe përkthyesi! Ish-policja, ish-zbatuesja e ligjit detyra e së cilës ishte mbrojtja e qytetarëve dhe marrja me fakte, me të vërtetën, paraqitet e pafajshme në tentimin e saj për ta shmangur realitetin! E kush i ka fajet kur, për shembull, ajo duartroket në ceremoni mortore? Garant Ahmet Zogu|
Meqë presidentja pra është e pafajshme, Presidenca ka bërë gabim më të madh që ka reaguar. Sepse, në Kosovë vërtet çdo çudi zgjat vetëm tre ditë. Demagogjia e pushtetarëve do të vazhdojë. “Poezia” e suksesit do të shkruhet edhe në histori. Në libra fëmijët e nesërm do të lexojnë: ndër sukseset e shumta të Kosovës pas shpalljes së pavarësisë, është emërimi i parë i një femre në rajon e më gjerë në postin e të parës së një shteti! Trashëgimtarët e “fronit” do ta nderojnë! E, një ditë për të ndoshta do të ngrihet një mauzole.
Urime Kosovë për Teutën e ilirëve modernë!
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Cristiano Ronaldo mund të kthehet në Evropë, trajneri i njohur tashmë e ka telefonuar
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje