LAJMI I FUNDIT:

Legjenda urbane për Njeriun Pëllumb

Legjenda urbane për Njeriun Pëllumb

Great West Road fillon aty ku përfundon lagjja Chiswick në Londër. Pastaj rruga kalon në lagjen e afërt që quhet Brentford dhe vazhdon në drejtim të perëndimit për të përfunduar në Bristol që është një distancë gati 200 kilometra. Deri në fillim të viteve të 1970, në pjesën e Brentfordit, në të dy anët e kësaj rruge, kanë funksionuar shumë fabrika të njohura, përfshirë Kodak dhe Gillette. Kjo ka qenë koha kur industria britanike zinte vend të rëndësishëm në botë. Sot në këtë rrugë ka mbetur vetëm përfaqësia e Glaxo Smith Kleine, gjigantit të prodhimit të barërave që gjendet në lagjen time. Fabrikat sot janë zëvendësuar më përfaqësi tregtare dhe veprimtari shërbyese. Këtu gjenden sallonet luksoze të veturave Mini Morris, Renault, Audi, Mercedes, Volkswagen, Porsche, Tesla etj. Vendi, edhe pse ka më pak punë e prodhim, shkëlqen nga luksi.

Kur nga perëndimi i kësaj rruge afroheni për të hyrë në ‘Chiswick Roundabout‘ (Rrethrrotullimi i Chiswick-ut), mbi rrugë kalon një urë e gjatë që në fakt është autostrada e quajtur M4 që fillon mu aty dhe vazhdon për veriperëndim të Anglisë. Nën autostradë apo nën urë shkon rruga me emër A4. Me fjalë tjera, kjo është një rrugë dykatëshe – kati i parë është magjistrale kurse i dyti autostradë.


Afër një shtylle të kësaj ure dhe pak pa hyrë në ‘Chiswick Roundabout‘, trotuari që i ndanë dy anët e A4-shit, zgjerohet dhe merr formën e një platoje të madhe. Nën urë jeton një njeri i pastrehë dhe shumë i çuditshëm. Këtu, ky njeri e ka ndërtuar ‘shtëpinë‘ e tij me copa të kartonëve dhe e ka mbuluar me pëlhura të ndryshme. Ka më shumë se 30 vite që jeton në këtë vend të pazakonshëm. ‘Shtëpia‘ e tij nga të gjitha anët duket si një vend shumë i ndotur, çfarë është edhe ky njeriu i cili duket se nuk është larë gjatë këtyre dekadave. Ai nuk flet me askënd dhe është shumë agresiv nëse i cenohet kjo hapësirë. I injoron përshëndetjet dhe shikimet e njerëzve dhe i refuzon ushqimet dhe lëmoshën. Vendin e tij duhet ta fotografoni me kujdes, se po e hetoi, hyni në telashe me të. Ky njeri është mjaft i popullarizuar pasi që qindra mijëra njerëz kalojnë brenda ditës afër territorit të tij. Madje, për të ka shkruar edhe shtypi kryesor. Para një dekade ka ekzistuar një iniciativë që ai të detyrohet që të largohet nga aty. Por, doli një grup i madh i njerëzve për ta mbrojtur të drejtën e këtij njeriu që të vazhdonte me jetën e tij në këtë vend. U formua një rubrikë në Facebook dhe brenda pak ditësh u anëtarësuan 7000 përkrahës të tij.

Por, kush është ky njeri?

Hulumtimi i personalitetit të tij sjell në shprehje elemente që përmbajnë legjendat dhe mitet urbane. Askush nuk di shumë për të. E vetmja gjë që dihet është se ai është vendas. Pra, ka lindur dhe ka jetuar në Chiswick dhe Brentford për të cilën gjë ka fakte. Ai edhe sot nuk ka hequr dorë nga vendi i tij dhe, këtu ku jeton, është mu kufiri administrativ që i ndanë këto dy pjesë të Londrës.

Njerëzit kanë dy emra për të. I pari është ‘Pigeon Man‘ (Njeriu Pëllumb) kurse i dyti ‘A4 Man‘ (Njeriu i Magjistrales A4). Ai është emërtuar Njeri Pëllumb për shkak së në vendin e tij, nën urë, mblidhen shumë pëllumba dhe ai bashkëjeton me ta. Mbi të gjitha, ai edhe ushqehet me ta. Legjenda thotë se ka zhvilluar metoda të përsosura për kapjen e pëllumbave të cilëve së pari ua pi gjakun e pastaj ua ha mishin për së gjalli. Për shkak të legjendës, duket që ky emër i rri mirë.

Legjenda vazhdon për t‘a shpjeguar mënyrën sesi është transformuar ai në këtë mënyrë të jetës. Ndoshta në vend të ‘transformimit‘ duhet përdorur fjalën ‘katandisur‘, por nuk besoj që ai do ta pranonte këtë term. Edhe këtu legjenda përmban disa teori, por dy janë më kryesoret. Teoria e parë bën me dije se në rininë e tij të hershme ky njeri ka qenë arkitekt. Ka jetuar mirë, por është pasuruar shumë kur dikush nga familja, me siguri prindërit, ia kanë lënë trashëgiminë. Me këtë rast është menduar mirë dhe ka vendosur që pasurinë ta shpërndajë për bamirësi. Ka hequr dorë nga puna dhe jeta monotone e ka vendosur të jetoj siç jeton sot.

Teoria e dytë thotë se ka qenë një punëtor i zakonshëm me rrogë të ulët dhe njeri i dhunshëm. Ka punuar në njërën nga fabrikat e shumta në Great West Road dhe në një shitore dhe punëtori të gomave. Ka qenë edhe alkoolik dhe jo në gjendje t‘i përballoj shpenzimet e jetës, siç janë qiraja, sigurimet, ushqimi, veshmbathja dhe obligimet tjera. Një ditë, duke mos gjetur rrugëdalje, i kishte nxjerrë fëmijët dhe gruan nga shtëpia. Mobiliet i kishte grumbulluar në oborr dhe ua kishte dhënë flakën. Shtëpia kishte kaluar në posedim të bankës për shkak të hipotekës së papërfunduar. Më në fund, gruas dhe fëmijëve u kishte thënë që t‘ia mbajnë kah të donin kurse vetë është vendosur në vendin e sotëm.

Pa marrë parasysh që këto variante janë të kundërta me njëra-tjetrën, në vete kanë një element të përbashkët. Pra, e përbashkëta janë financat ose paraja, nga të cilat Njeriu Pëllumb ka hequr dorë. Ka më shumë se një dekadë që është pensionuar për shkak të moshës (mendohet që është 75 vjeç) dhe shteti ia paguan pensionin në llogarinë e tij bankare. Por, ai nuk e do pensionin e shtetit, të cilin nuk e ka prekur kurrë. Pra, nuk ka kuletë.

Njeriu Pëllumb është çliruar nga të gjitha obligimet dhe, neve që kalojmë me makina afër tij, na konsideron si inferiorë. Ç‘është më e keqja, ne, me siguri për te jemi skllevër të jetës moderne. Që nga mëngjesi e deri në mbrëmje, të stresuar vrapojmë pas punës vetëm për t‘i mbuluar shpenzimet nga të cilat ai ka hequr dorë. Madje, ne shpesh bëjmë punë që nuk na pëlqen dhe detyrohemi t‘i nënshtrohemi shefave të cilët janë idiotë të kompletuar. Ai nuk i ka këto probleme. Ai, nuk dëgjon e nuk lexon as lajme dhe nuk ka se si të shqetësohet. Për t‘a injoruar këtë realitet, njeriu duhet të ketë fuqi të madhe.

Megjithatë, Njeriu Pëllumb është nga ata që lexojnë libra ose literaturë të rrallë. Kjo gjë vërtetohet nga faktet që gjenden në ambientin që e rrethon. Në hapësirën të cilën ai me siguri e quan dhe e trajton si oborr të tij, ka vendosur disa tabela me tekste të shkurtra. Pasi që vendi observohet vetëm nga veturat, tekstet nuk është lehtë të lexohen edhe për shkak se janë dëmtuar nga tymi dhe gazrat që lirojnë makinat e shumta që kalojnë në të dy anët si dhe mbi këtë hapësirë. Është vështirë të merret porosia e plotë e tablove, por vërehet se fjala është për çështjen irlandeze pasi që në njërën tablo identifikohet fjala Irlandë, Sinn Fein, Jerry Adams, Martin McGuinis etj. Në tjetrën tablo me siguri flitet për filozofinë marksiste apo rendin komunist, pasi që përmendet emri i Stalinit, Trockit dhe disa tjerëve. Në një vend më prominent, Njeriu Pëllumb e ka ngritur një tjetër tablo në formë parulle në të cilën është e shkruar kjo porosi: ‘London, the hell hole of Europe‘ (Londra, vrima e Ferrit të Evropës)!

Pa kurrfarë dileme, ky njeri ka pikëpamje majtiste. Duket sikur që në këtë vend është tërhequr dhe izoluar jo vetëm për të protestuar kundër rendit ekzistues ekonomik dhe politik por, njëkohësisht, edhe për të zhvilluar dhe nxjerrë në letër idetë e tija revolucionare të cilat duhet të jenë kundër globalizmit dhe neo-liberalizmit. Megjithatë, pasi që ky njeri jeton në izolim të plotë, nuk duhet besuar se e ka të qartë se sa ka lëvizur bota nga koha kur ky është vendosur për të jetuar në këtë mënyrë. Prandaj, edhe kauza e tij duhet të jetë e kotë.

Apo, ndoshta është e kundërta: kauza e jetës tonë është e kotë. Ndoshta bota jonë është kurdisur keq.