Site icon Telegrafi

Legjenda e Milanit u shkarkua nga posti i trajnerit pasi nuk e futi në lojë djalin e presidentit

Ish-mbrojtësi i Milanit, Ignazio Abate, u shkarkua dhe pastaj u rikthye sërish në stol nga ekipi italian Ternana që bën gara në Serie C. 

Kjo ndodhi për shkak të një mosmarrëveshje në lidhje me hierarkinë dhe vendimin e tij për të mos e ftuar dhe futur në lojë djalin e presidentit. 

Abate, i cili ka bërë mbi 300 paraqitje për Milanin para se të merrte drejtimin grupmoshave të tyre U16 pas pensionimit, ishte emëruar trajner i Ternanas pasi u largua nga sektori i të rinjve të Milanit. 

Ternana momentalisht gjendet në pozitën e dytë në Grupin B të Serie C pas 25 ndeshjeve, tri pikë mbrapa liderit Virtus Entella. 

Përkundër fillimit të fortë të sezonit 2024/2025, Abate ishte shkarkuar dhe më pas ishte rikthyer në stol pothuajse menjëherë pas mosmarrëveshjes që përfshinte presidentin dhe djalin e tij. 

Sipas mediave lokale, trajneri fillimisht ishte shkarkuar nga Ternana pasi nuk e kishte ftuar Mattya D’Alessandro për një ndeshje, pra djalin e presdientit. 

Raportohet se kishte pasur një marrëveshje për ta lejuar 20-vjeçarin D’Alessandro që të shkojë diku tjetër si huazim për të fituar përvojë, por kjo nuk ndodhi dhe për pak sa nuk i kushtoi me punë Abates. 

Ternana e kishte konfirmuar shkarkimin e tij madje duke bërë me dije se Fabio Liverani do ta zëvendësojë atë në stol. 

Megjithatë, sipas Gazzetta dello Sport, lojtarët kërkuan një takim urgjent me bordin e klubit dhe ish-trajnerin dhe tri orë më vonë, Abate u rikthye sërish në stol./Telegrafi/

Exit mobile version