Grupi i asamblistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Obiliq ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, duke e cilësuar thirrjen e saj si shkelje të procedurave ligjore.

Sipas këtij subjekti politik, mbledhja e thirrur me rend dite “Plani i rrjetit të linjave dhe subvencionimi i transportit publik për udhëtarët në territorin e Komunës së Obiliqit” është në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe statutare në fuqi.


“Grupi i Asamblistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), dega në Obiliq, njofton opinionin publik se nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e jashtëzakonshme të thirrur për sot nga Kryesuesi i Kuvendit Komunal, për shkak të shkeljeve procedurale dhe ligjore në thirrjen e saj”, thuhet në reagim.

LDK-ja thekson se, sipas legjislacionit në fuqi, mbledhjet e jashtëzakonshme mund të thirren vetëm me kërkesë me shkrim të një të tretës së anëtarëve të Kuvendit Komunal ose të kryetarit të komunës, ndërsa në këtë rast, sipas tyre, kryetari ka kërkuar që çështja të trajtohet në mbledhje të rregullt.

Nga ky grup asamblistësh bëhet e ditur se janë kërkuar sqarime shtesë nga kryesuesi i Kuvendit Komunal, përfshirë bazën ligjore të procedurës, analizën buxhetore, vlerën e projektit dhe raportet përkatëse, por deri më tani nuk janë ofruar përgjigje.

“Megjithatë, theksojmë qartë se LDK është në mbështetje të plotë të çdo iniciative që është në interes të qytetarëve, përfshirë përmirësimin e transportit publik dhe lehtësimin e jetës së përditshme të tyre”, thuhet më tej në reagim.

LDK në Obiliq thekson se vendimmarrja duhet të jetë ligjore, transparente dhe e bazuar në analiza të qarta, ndërsa kërkon që kjo çështje të shtyhet për mbledhjen e ardhshme, në mënyrë që të ketë sqarime të plota dhe të detajuara mbi kostot dhe ndikimin buxhetor.

Në fund, ky subjekt rithekson përkushtimin për mbrojtjen e interesit publik dhe respektimin e ligjit në vendimmarrje institucionale. /Telegrafi/