Lidhja Demokratike e Kosovës në një konferencë për media ka thënë se mirëpresin ngritjen e aktakuzës ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Rozeta Hajdari lidhur me rastin e rezervave shtetërore.

Deputeti i LDK-së, Alban Zogaj së bashku me anëtarin e kësaj partie, Berat Rukiqi kanë deklaruar se dëmi që iu shkaktua shtetit është rreth 3 milionë euro.


Duke iu referuar dokumenteve të aktakuzës, Zogaj tha se bëhet fjalë për një rast të rëndë që shkon përtej shkeljeve administrative, pasi “prek sigurinë kombëtare, financat publike dhe integritetin institucional të shtetit”.

“Po flasim për një rast të rëndë, të dokumentuar tashmë edhe nga Prokuroria Speciale, që ndërlidhet me rezervat strategjike të shtetit të Republikës së Kosovës. Ky nuk është një rast thjesht administrativ, por prek sigurinë kombëtare, financat publike dhe integritetin institucional të shtetit tonë,” tha Zogaj.

Zogaj ka thënë se janë në pyetje rreth 60 tonë grurë që i mungojnë rezervave të shtetit.

“672 mijë euro transport i paguar në kundërshtim me kontratën. Përfshirja e personave privat më ndërmarrje shtetërore që është skandal i paparë”, ka thënë Zogaj.

Deputeti ka shtuar se ky është një nivel i pastër i kapjes së këtij rasti për personat që janë jasht institucioneve e që përbjënë edhe kërcënim për sigurinë shtetërore.

Zogaj përmendi edhe detaje nga kontratat, duke thënë se në njërën prej tyre çmimi i grurit ishte fryrë dukshëm.

“Në këtë kontratë të negociuar, që ne e quajmë edhe kontratë sekrete, çmimi i kontraktuar i grurit ishte 483 euro për ton, ndërsa çmimi real i tregut ishte 290 euro për ton. Diferenca është 193 euro për ton, dhe dëmi total i shkaktuar buxhetit arrin rreth 2 milionë euro vetëm nga ky element i kontratës,” sqaroi ai.

Një tjetër aspekt që Zogaj e cilësoi “skandal institucional”, është përfshirja e personave privatë në proceset shtetërore të vendimmarrjes.

“Prokuroria thekson se një person privat, me emrin Ridvan Muharremi , pa asnjë rol zyrtar në shtetin tonë, ka negociuar kontratat, ka zgjedhur operatorët ekonomikë dhe ka marrë dokumente të brendshme institucionale. Ai i ka ndarë këto dokumente në grupin WhatsApp të krijuar nga vetë ministrja. Ky është një nivel i pastër i kapjes së proceseve shtetërore nga persona jashtë institucioneve,” tha Zogaj.

Sipas tij, në këtë rast janë shkelur edhe rregullat e fshehtësisë zyrtare, pasi janë ndarë të dhëna konfidenciale për rezervat shtetërore.

“Prokuroria thekson se Rozeta Hajdari, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare shtetërore. Janë dorëzuar dokumente për vendndodhjen e depove, planin vjetor të furnizimeve dhe sasinë e mallrave strategjike. Të gjitha këto janë shpërndarë përmes WhatsApp-it dhe email-it zyrtar,” deklaroi ai, duke shtuar me ironi:

LDK ka kërkuar përgjegjësi politike për këtë rast. /Telegrafi/