LDK kritika ndaj MASHTI-t, deputetja Sadriu: Prindërit po përballen me vështirësi nga mungesa e librave falas në shkolla

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku në një konferencë për media ka ngritur shqetësime serioze lidhur me sistemin arsimor, me theks të veçantë për mungesën e subvencionimit të teksteve shkollore nga Ministria e Arsimit.
Sipas saj, edhe për vitin shkollor 2025-2026, Ministria nuk ka siguruar librat falas për nxënësit, duke ia kaluar përgjegjësinë prindërve.
Kjo sipas saj ka bërë që prindërit të përballen me vështirësi të mëdha, përfshirë proceset e lodhshme të aplikimit në platforma jo gjithmonë funksionale, kërkimin e librave në librari ku shpesh mungojnë, dhe çmimet e larta të librave.
“Kjo qasje ka tri pasoja të rënda; i kushton më shumë buxhetit të shtetit – në vend se librat të prokurohen me shumicë e me çmime më të ulëta, shpenzimet rriten, e rëndon jetën e prindërve – të cilët detyrohen të aplikojnë në platforma jo gjithmonë funksionale, të kërkojnë libra që shpesh mungojnë në treg dhe t’i blejnë me çmime më të larta, vonesa në transfere të parave tek prindërit dhe vonesa në furnizim me libra. Nuk ka transparencë dhe nuk ekziston një mekanizëm që menaxhon kthimin e teksteve shkollore,” deklaroi deputetja Lushaku.
Ajo gjithashtu theksoi shqetësimin për mbi 22 mijë fëmijë parashkollorë që sipas Agjencisë së Statistikave janë përjashtuar nga skema e subvencionimit të teksteve, pavarësisht se Ligji për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme e bën edukimin parafillor të obligueshëm që nga viti shkollor 2024-2025.
“LDK shpreh përkushtimin e saj që arsimi të bëhet prioritet kombëtar, duke garantuar: Librat falas për të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën, mbështetje për fëmijët parashkollorë, kushte dinjitoze për mësimdhënësit dhe investime serioze në infrastrukturën arsimore”, u shpreh Lushaku.
Deputetja ka theksuar se arsimi është gurthemeli i zhvillimit të Kosovës.
“Dhe ne nuk do të lejojmë që ky gurthemeli të shembet nga paaftësia e një qeverie,” përfundoi ajo. /Telegrafi/

















































