Lidhja Demokratike të Kosovës (LDK) kritikoi Qeverinë e Kosovës për mosvazhdimin e kontratave të punës të mbi njëmijë punëtorëve shëndetësor, të cilët kanë punuar gjatë kohës së pandemisë, COVID-19.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Ardian Shala tha se këta punëtorë shëndetësorë qeveria aktuale i ka lënë pa punë.
“Shprehim shqetësimin për mosvazhdimin e kontratave të mbi 1 mijë punëtorëve të personelit shëndetësor të cilët punuan në kohë pandemie, COVID-19. Mbi 1 mijë punëtorë shëndetësorë dhe staf shëndetësorë janë angazhuar në shëndetësinë primare në kohën e pandemisë…Qeveria jonë i la pa punë ata”, tha ai.
“Dukuria e ikjes së mjekëve është evidente… Shtimi i kapaciteteve në sistemin shëndetësor evidentohet si prioritet. Me këtë reduktim të stafit, vaksinimi me COVID-29 do të rrezikohet në të gjitha komunat e Kosovës. Mungesa e infermierëve thuajse është në çdo klinikë të Kosovës. Klinika e re pediatrike në QKUK, ballafaqohet me mungesë të stafit mjekësor. Nga janari i këtij viti 95 mjekë e kanë lënë Kosovën”, tha ai.
Ndërsa, Ekrem Hyseni nga LDK i bëri thirrje qeverisë që mos të afektojë mbarëvajtjen e punës në klinika për mungesë të stafit, ndërsa kërkoi të hapin konkurse për specializime vjetore, në mënyrë që ta parandalojnë ikjen e mjekëve të rinj nga vendi.
“Vazhdojini kontratat këtij stafi që kanë punuar në pandemi, Mos të dëmtohen klinikat për mungesë të stafit, dhe të ikin mjekët jashtë vendit. Ministër bëje konkursin e specializimeve vjetore. Kjo ka me i ndihmuar mjekët e rinj që mos të marrin rrugën e të ikin jashtë Kosovës. Aprovimi i Ligjit të Pagave është domosdoshmëri për t’ju dhënë një përgjigje atyre”, tha ndër të tjera Hyseni. /Telegrafi/