Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov, ka thënë se zgjedhjet parlamentare që po mbahen sot në Siri kanë për qëllim që të parandalojnë vakuumin ligjor, derisa të krijohet Kushtetuta e re dhe të mbahen zgjedhjet e parakohshme në bazë të saj.

"Palët siriane do të duhej të bien dakord për një Kushtetutë të re, sipas strukturave që ata mendojnë se janë të nevojshme për të siguruar një tranzicion të qëndrueshme drejt një sistemi të ri", ka thënë Lavrov në një konferencë për shtyp, raporton Reuters.


"Tashmë është arritur një mirëkuptim se duhet të dalë një Kushtetutë e re, si rezultat i këtij procesi politik, mbi bazën e të cilës do të mbahen zgjedhjet e reja, të parakohshme. Por, para se të ndodhë kjo, duhet të shmangin çdo vakum ligjor", ka thënë ai.