Largohet një deponi ilegale në Kabash të Vitisë


Komuna e Vitisë ka vazhduar aksionet për largimin e deponive ilegale të mbeturinave, duke pastruar një hapësirë të ndotur në fshatin Kabash.
Aksioni është realizuar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Inspekcionit, në bashkëpunim me Sektorin për Mbrojtjen e Ambientit dhe kryetarin e fshatit Kabash, në kuadër të përgatitjeve për sezonin veror dhe organizimin e NEXUS Festival, aktivitet ndërkombëtar i muzikës elektronike që do të mbahet në këtë lokalitet.
Komuna ka bërë të ditur se pastrimi i kësaj hapësire synon krijimin e një ambienti më të pastër për banorët dhe vizitorët, veçanërisht në një periudhë kur pritet rritje e numrit të vizitorëve nga vendi dhe diaspora.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka theksuar se ruajtja e mjedisit është përgjegjësi e përbashkët dhe ka bërë apel që qytetarët të tregojnë më shumë kujdes në menaxhimin e mbeturinave.
“Duke e mbajtur të pastër mjedisin, ruajmë shëndetin, natyrën dhe imazhin e komunës sonë. Sidomos në këtë periudhë, kur po afrohet sezoni i ardhjes së mërgimtarëve, zhvillohen shumë aktivitete verore dhe Kabashi bëhet nikoqir i NEXUS Festival, është obligim i secilit prej nesh të kontribuojë për një Viti më të pastër dhe më të bukur”, ka deklaruar Haliti.
Ai ka kërkuar nga qytetarët që mbeturinat të hidhen vetëm në vendet e përcaktuara, duke theksuar se krijimi i deponive ilegale dëmton mjedisin dhe shëndetin publik.
Komuna e Vitisë ka apeluar te qytetarët që të raportojnë rastet e hedhjes së mbeturinave në vende të papërshtatshme, duke theksuar se vetëm përmes bashkëpunimit mund të ruhet ambienti dhe të krijohen kushte më të mira për komunitetin. /Telegrafi/


































