Kuvendi i Gjilanit shtyn miratimin e propozim-buxhetit për vitin 2026

Kuvendi i Komunës së Gjilanit, nën udhëheqjen e Kushtrim Kadriut, ka shtyrë për një seancë tjetër miratimin e propozim-buxhetit për vitin 2026 dhe vlerësimet e hershme për vitet 2027-2028. Vendimi u mor pasi partitë opozitare, LDK dhe PDK, kërkuan që prezantimi të bëhet me pjesëmarrjen e kryetarit të komunës, Alban Hyseni.
Propozim-buxhetin për vitin 2026 e prezantoi Ilmi Limoni, udhëheqës i sektorit të buxhetit në Drejtorinë për Buxhet dhe Financa. Ai bëri të ditur se shuma totale e buxhetit është 41.928.924 euro, ose 5.09 për qind më shumë se buxheti i vitit paraprak.
Shefat e grupeve politike të LDK-së dhe PDK-së, Avdyl Aliu dhe Bujar Nevzati, kritikuan planifikimin e investimeve kapitale, duke thënë se janë parashikuar vetëm për 13 fshatra dhe kërkuan që buxheti të prezantohet ekskluzivisht nga kryetari i komunës. Ndërkaq, shefja e grupit të këshilltarëve të VV-së, Krenare Latifi-Kqiku, theksoi mbështetjen e plotë për propozim-buxhetin, duke theksuar se ai shërben për realizimin e projekteve në të gjitha fshatrat dhe lagjet e Gjilanit.
Gjatë seancës, kuvendarët miratuan edhe:
- Përmirësimin e vendimit për pagesën e shujtave për shërbyesit civilë, me përcaktimin e burimit të financimit;
- Planin ndërkomunal për menaxhimin e integruar të mbeturinave për rajonin e Gjilanit dhe Ferizajit (2025-2030);
- Deklaratën mbështetëse kundër dhunës ndaj grave në politikë dhe jetën publike;
- Vendimin për shpalljen “Qytetar Nderi” për shkrimtarin Ibrahim Kadriu;
- Raportin e Komisionit për emërtimin e rrugëve.
Njëkohësisht, Kuvendi ka shtyrë për një seancë tjetër raportin gjashtëmujor të kryetarit, raportin financiar për periudhën janar-qershor 2025 dhe raportin e Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Komunës.
Në diskutime morën pjesë asambleistë si Avdyl Aliu, Bujar Nevzati, Krenare Latifi-Kqiku, Arbër Musliu, Muhadin Haziri, Nazim Gagica, Rijad Elezi, Ismajl Kurteshi, Imran Haziri, Latif Maliqi dhe Blerim Haziri, të cilëve iu përgjigjën drejtorët komunalë Ali Arifi, Kushtrim Ibrahimi, Arbenita Sopi-Haziri dhe udhëheqësi i sektorit të buxhetit, Ilmi Limoni.


















































