“Kushdo që e dëshiron atë duhet të përmbushë kërkesat tona”, trajneri i Club Brugge për Ardon Jasharin

Trajneri i Club Brugge, Nicky Hayen, ka komentuar të ardhmen e mesfushorit Ardon Jashari, i cili po ndiqet nga afër nga Milani.
Emri i Jasharit ka qenë njëri ndër më të përfolurit këtë verë, pasi kaloi një super sezon me Club Brugge në Belgjikë dhe Evropë.
Gjiganti italian, Milani është klubi më i interesuar për shërbimet e tij, duke bërë disa oferta tashmë.
Megjithatë, Rossonerët nuk kanë plotësuar ende kushtet e kërkuara nga belgët dhe tani trajneri i tyre ka paralajmëruar klubet e interesuara.
“Transferimi i Jasharit? Dëgjo, nuk mund të bëjmë shumë për këtë. Ajo që ndodh në krye është përtej kontrollit tonë. Nuk jam i shqetësuar për situatën. Kështu funksionon futbolli”, ka thënë fillimisht Hayen.
“Ardoni ka një kontratë deri në vitin 2029 dhe klubi i ka bërë kërkesat e tij shumë të qarta. Kushdo që e dëshiron atë duhet të përmbushë kërkesat tona”.
“Pastaj janë edhe dëshirat e lojtarit - dhe këtu bëhet e ndërlikuar... Sidoqoftë, gjërat do të bëhen më të qarta së shpejti”, përfundoi trajneri i Brugge. /Telegrafi/

















































