Kryetarit të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Rrahman Jasharaj duket se i kanë lënë përshtypje deklarata e kryeministrit Albin Kurti, i cili një ditë më parë gjatë një tubimi në Prishtinë për zgjedhjet Luginë të Preshevës tha se shkon aty ku e thërrasin.
E pas kësaj ka reaguar sot kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj i cili e ftoi kryeministrin që javën e ardhshme të vizitojë SBASHK-un.
“E pata vështirë të besoj dhe prandaj e dëgjova disa herë dhe pastaj po ashtu disa herë e lexova me kujdes dhe u binda Kryeministri e paska thënë se shkon aty ku e thërrasin. Ky deklarim i tij më bëri që ta kritikoj kryetarin e BSPK-së, Atdhe Hykolli, por edhe të bëhem vetëkritik.
Ne i kemi dërguar dhjetëra kërkesa Kryeministrit në emër të BSPK-së dhe më shumë kërkesa ministres Nagavci për takime e për të bashkëbiseduar për gjithë shqetësimet dhe kërkesat e anëtarësisë, por u kemi thënë se takimet t’i mbajmë të ata dhe meritojmë kritika se e paskemi harruar traditën shqiptare të mikpritjes dhe në shkresat tona për takime as edhe një herë nuk u kemi thënë ejani te ne”, shkruan Jasharaj.
“Tani kur e mësova këtë dëshirë të Kryeministrit dhe Qeverisë së tij se duhet t’i thërrasin se kafe e çaj kemi edhe ne, publikisht po i drejtohem Kryeministrit Kurti që ta marr ministren Nagavci e ministrin Murati dhe të vijnë javën e ardhshme në SBASHK”, thekson tutje kryetari i SBASHK-ut. /Telegrafi/