Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, i cili është mburrur me renditjen e Kosovës në një raport të “Henley & Partners” për Indeksin Global të Rrezikut dhe Qëndrueshmërisë së Investimeve.

Në një postim në “Facebook”, Bajrami ka ironizuar me mënyrën si Kurti e ka prezantuar raportin, duke thënë se edhe pse “organizata të tilla mund të gjenden”, ato nuk mund ta ndryshojnë realitetin ekonomik të vendit.


“Albin ‘gjeniu’ e paska gjetë një organizatë ‘Henley & Partners’ e cila e ka renditë Kosovën para Belgjikës, Francës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Japonisë sipas Indeksit Global të Rrezikut dhe Qëndrueshmërisë së Investimeve. Po, në kohën në të cilën jetojmë edhe organizata të tilla mund të gjenden, por indeksimi nuk e ndryshon realitetin ekonomik”, ka shkruar Bajrami.

Deputetja e LDK-së ka renditur një sërë problemesh që, sipas saj, e karakterizojnë ekonominë e Kosovës nën qeverisjen e Kurtit:

Rritja e çmimit të energjisë elektrike për bizneset deri në 300%

Lulëzimi i “mafias energjetike” si rezultat i politikave të Qeverisë

3000 tenderë të negociuar gjatë mandatit të Qeverisë Kurti

Mbi 250 mijë qytetarë të larguar nga vendi, shumica punëtorë të kualifikuar

Deficit tregtar prej 5.4 miliardë euro (2024)

Vetëm 198 milionë euro investime kapitale deri më 1 shtator 2025

Inflacion 4.7% në shtator 2025

Rritje të normave të interesit dhe mungesë qasjeje në fondet e “Planit të Rritjes” të BE-së

Bajrami ka akuzuar Kurtin për mungesë guximi për t’u përballur me debat publik mbi gjendjen ekonomike të vendit.

“Hajde Albin, merri me vete krejt gjenitë që të rrethojnë e t’i rrahin krahet dhe përballemi në studio, me argumente për çka i ke bërë ekonomisë”, ka shtuar ajo.

Në fund, Bajrami ka hedhur edhe një thumb për reputacionin e organizatës “Henley & Partners”, duke i ftuar qytetarët “të lexojnë vetë çfarë ka shkruar ‘The Guardian’ për të”.