LAJMI I FUNDIT:

Kurti: Pasi të kthehem nga Brukseli do të paraqes programin qeverisës katër vjeçar

Kurti: Pasi të kthehem nga Brukseli do të paraqes programin qeverisës katër vjeçar

Kreu i Qeverisë, Albin Kurti, ka thënë se pasi të kthehet nga vizita në Bruksel ku është thirrur që të diskutojë për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, do të paraqes programin qeverisës katër vjeçar.

Në llogarinë e tij në Twitter, ka përmendur programin për krijimin e vendeve të punës dhe luftimin e korrupsionit.

“Ne jemi në ditët e fundit të finalizimit të programit tonë qeverisës. Program për 4 vitet e ardhshme, i përqendruar në investime për krijimin e vendeve të punës dhe drejtësinë për të luftuar korrupsionin”, tha Kurti.


“Menjëherë pasi të kthehem nga Brukseli javën tjetër, ne do të paraqesim programin në parlament për miratim dhe do të fillojmë axhendën tonë transformuese”, u shpreh më tej.

Ndërkaq, opozita ditë më parë ka akuzuar Kurtin se edhe pas një muaj qeverisje, ende nuk ka program qeverisës, njofton Telegrafi.

Nga Partia Demokratike e Kosovës kanë thënë se programi qeveritar do të duhet të diskutohej qysh në seancën e parë pas votimit të Qeverisë.

Në anën tjetër, Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është skeptik ndaj përmbajtjes së programit që pritet të finalizohet nga Qeveria.