Kurti pas fitores ndaj Çekisë në CS2: Kosova, qendra e Evropës në Esports

Prishtina është shndërruar këtë javë në epiqendrën e sporteve elektronike në Evropë, duke pritur Kampionatin Evropian të Esports në Counter-Strike dhe Dota 2.
Me pjesëmarrjen e 35 ekipeve nga 24 shtete të kontinentit, gara po zhvillohet në një atmosferë të jashtëzakonshme, ku sporti, teknologjia dhe rinia janë në qendër të vëmendjes.
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas nisjes së turneut, duke vlerësuar rolin e Kosovës si nikoqire dhe duke uruar për sukses ekipin kombëtar, që e nisi kampionatin me një fitore bindëse ndaj Republikës së Çekisë në lojën Counter-Strike 2.
“Në Counter-Strike dhe Dota 2, e gjithë Evropa është në Kosovë. Këtë javë, Prishtina është qendra e Evropës në sportet elektronike, ku 35 ekipe nga 24 shtete garojnë për trofetë e Kampionatit Evropian të Esports. Aty ku sporti dhe teknologjia takohen, padyshim që rinia jonë shkëlqen".
"Kosova e nisi me fitore kundër Republikës së Çekisë, një debutim i fuqishëm që na jep besim dhe krenari. Suksese tutje djemve tanë, jemi me ju!”, ka shkruar Kurti në rrjetet sociale.
Kampionati do të zgjasë deri të dielën dhe përveç garës, ngjarja shërben edhe si kualifikuese për Kampionatin Botëror të vitit 2026. /Telegrafi/




















































