LAJMI I FUNDIT:

Kur do të përfundojë pandemia e coronavirusit dhe çfarë do të ndodhë më pas?

Kur do të përfundojë pandemia e coronavirusit dhe çfarë do të ndodhë më pas?

Tre muaj më parë, askush nuk kishte dëgjuar për SARS-CoV-2. Sot coronavirusi i ri ka arritur në shumicën e vendeve të botës dhe ka shkaktuar mbi 1 milion e 200 mijë infeksione të identifikuara dhe mbi 68 mijë të vdekur dhe këto shifra po vazhdojnë të rriten shpejt.

Ende nuk dihet se sa persona asimptomatikë janë të infektuar, dhe kjo ka bërë që sistemi shëndetësor të shembet në vende si Italia ose Spanja dhe kërcënon atë të Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara.

Ekonomitë janë në rënie të lirë: Parlamenti Evropian debaton për një plan shpëtimi prej 750 miliardë eurosh dhe Kongresi Amerikan votoi për një plan 2 trilionë dollarësh, ndërsa 3.3 milionë njerëz – një rekord historik – kërkuan ndihmë për shkak të papunësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan The Atlantic.


Fëmijët ndaluan së shkuari në shkollë, të rriturit, disa po mund të punojnë nga shtëpia, miqtë dhe familjet po bëjnë biseda vetëm përmes telefonit, transmeton Telegrafi.

COVID-19 “e ka prishur shoqërinë moderne në një shkallë që shumica e njerëzve nuk e kanë parë kurrë më herët” shkroi Ed Yong, një specialist i shkencës në The Atlantic, në një analizë të gjerë të së ardhmes së menjëhershme të pandemisë dhe skenarëve të mundshëm të një dite më pas, shkrim i cili u shpërnda edhe nga ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama.

“Një pandemi globale e kësaj madhësie ishte e pashmangshme”, tha ai.

Vitet e fundit, qindra ekspertë të shëndetit kanë shkruar libra, raporte për politikanë dhe kolona opinionesh për paralajmërime të tilla.

Bill Gates u ka thënë secilit që dëshiron ta dëgjojë, përfshirë 18 milionë shikuesit e TED Talk. “Më në fund ndodhi. Dhe ishte një patogjen “më i transmetueshëm dhe vdekjeprurës se gripi” , dhe mbi të gjitha më i qetë , i cili përhapet nga një njeri tek tjetri për disa ditë para se të shkaktojë simptoma të dukshme.

Për ta ndalur atë, theksoi Yong, vendet duhet të zhvillojnë një provë dhe e përdorin atë për të identifikuar personat e infektuar, për t’i izoluar ata dhe për të gjetur ata që kishin kontakte me të.

Kjo është ajo që bëri Koreja e Jugut, Singapori dhe Hong Kongu dhe ato patën rezultate të shkëlqyera. Kjo është ajo që vendet e tjera nuk e bënë. Përfshirë Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë gati 330 milionë banorë dhe një përqendrim të fortë në qytete të mëdha si Nju Jork, Çikago, Los Anxhelos, San Francisko, Boston, Houston, Miami, New Orleans. Vendi “mund të përfundojë me shpërthimin më të keq në botën e industrializuar”, i tha Seth Berkley, drejtori i Aleancës për Vaksinat (Gavi), për The Atlantic.

Nuk kishte një politikë për identifikimi e rasteve të infektuara në muajin shkurt (“në një muaj vendimtar kur rastet u shpeshtuan në dhjetëra mijëra, testi u bë vetëm për qindra njerëz”, kujtoi Yong), dhe tashmë coronavirusi u përhap, pa u gjurmuar, në të gjitha komunitetet në të 50 shtetet. Kjo përcaktoi të ardhmen afatshkurtër, sepse COVID-19 është një sëmundje e ngadaltë, përcjell Telegrafi.

1. Muajt e ardhshëm

Njerëzit që u infektuan disa ditë më parë ka të ngjarë të fillojnë të tregojnë simptoma tani, dhe disa do të kenë nevojë për kujdes intensiv në fillim të muajit prill. Presioni ndaj spitaleve – furnizime të ulëta, më shumë pacientë çdo ditë, mjekë dhe infermierë që janë infektuar – ka filluar të shihet në shumë vende të botës.

“Italia dhe Spanja ofrojnë paralajmërime të zjarrta për të ardhmen”, citoi Yong. “Spitalet janë të stërmbushur me persona të infektuar. Në pamundësi për të trajtuar ose shpëtuar të gjithë, mjekët janë detyruar të bëjnë të paimagjinueshmen, kujdes më të madh për pacientët që kanë më shumë gjasa të mbijetojnë, ndërsa lënë të tjerët të vdesin. Shtetet e Bashkuara kanë më pak shtretër spitali për persona sesa Italia”. Ai përmendi gjithashtu studimin nga Imperial College London, i cili vlerësoi se, pa masa të çfarëdo lloji, bilanci i COVID-19 do të ishte 2.2 milionë amerikanë të vdekur.

Për të shmangur atë skenar të rastit më të keq, duhet të ndodhin katër gjëra

Së pari: është e nevojshme që urgjentisht të prodhohen maska, doreza dhe pajisje të tjera mbrojtëse personale për punonjësit e shëndetit, sepse “nëse ata nuk mund të qëndrojnë të shëndetshëm, pjesa tjetër e popullatës do të shembet”. Një problem shtesë është se provinca kineze Hubei, ku filloi shpërthimi, ishte gjithashtu një qendër për prodhimin e maskave mjekësore. Duke pasur parasysh që Rezerva Strategjike Kombëtare është duke u vendosur tashmë në shtetet më të prekura (Nju Jork, Uashington, Kalifornia, Teksas, Florida dhe Luiziana u shpallën zona të katastrofës), do të mbetet të thirret Ligji i Prodhimit të Mbrojtjes, në mënyrë që e gjithë industria të thirret për të prodhuar pajisje mjekësore, diçka që Dhoma e Tregtisë e Shteteve të Bashkuara dhe drejtorët e korporatave më të mëdha nuk e dëshirojnë.

Së dyti: teste masive për analiza të COVID-19, për të parë më shumë se kush mund të jetë i infektuar e kush jo, pastaj të infektuarit ti fusin në karantinë. Gjë që shumë shtetet tashmë e kanë bërë dhe po kanë deri tashmë suksese në menaxhimin e epidemisë. Aktualisht ekziston një ankth i madh në popullatë për t’u testuar.

Së treti: distanca sociale. Disa shtete kanë ndaluar mbledhjet e njerëzve ose shkollat ​​dhe restorantet janë mbyllur. Shumë vende tashmë kanë ndaluar edhe tubimet e më shumë se 2 personave në qytet, dhe njëra ndër to është Gjermania.

Së katërti: informacion i mjaftueshëm për publikun. Një rol kryesor për liderët në të gjitha nivelet e qeverisë dhe shoqërisë civile është të japin mesazhe të qarta gjatë një krize. Popullsia duhet ta kuptojë se me masat e distancimit social shkalla e infeksionit mund të zvogëlohet deri në 95% dhe mos miratimi i këtyre masave mund të jetë “katastrofik”.

Për sa kohë?

“Mund të jetë gjithçka midis katër ose gjashtë javë deri në tre muaj” , tha Anthony Fauci, drejtori i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive (NIAID), i cili ka këshilluar të gjithë presidentët amerikanë që nga Ronald Reagan.

2. Tre skenarë për përfundimin e lojës

“Edhe një përgjigje e përsosur nuk do t’i jepte fund pandemisë”, tha Yong për The Atlantiku. “Për sa kohë që virusi vazhdon diku, ekziston mundësia që një udhëtar i infektuar ta shpërndajë në vende të tjera që tashmë kanë shuar zjarret e tyre. Kjo tashmë ka ndodhur në Kinë, Singapor dhe vendet e tjera aziatike që dukej se kishin virusin për pak kohë nën kontroll.

Në këto kushte, përshkruhen tre tabela të mundshme .

E para: “Të gjitha vendet arrijnë të kontrollojnë virusin njëkohësisht, siç ndodhi në rastin e SARS në vitin 2003. Duke pasur parasysh shtrirjen e pandemisë së këtij coronavirusi dhe ashpërsisë së situatës në shumë vende, mundësitë e kontrollit sinkron në të gjithë botën duket se po zbehen”.

E dyta: “Virusi bën njësoj si pandemitë e gripit të së kaluarës”. Skenari “imuniteti kolektiv”, pra ky skenar do të ishte i shpejtë, dhe për këtë arsye është mjaft joshës. Por gjithashtu do të vijë me një kosto të tmerrshme: SARS-CoV-2 është më i transmetueshëm dhe vdekjeprurës sesa gripi, dhe ka të ngjarë të lërë pas miliona kufoma dhe një mori të tërë sistemesh të shkatërruara shëndetësore”, theksoi Yong.

E treta: “Bota luan një lojë të gjatë fshehjeje dhe kërkimi me virusin dhe zhduk shpërthimet që shfaqen deri sa të prodhohet një vaksinë. Ky është opsioni më i mirë, por edhe më i ngadalshëm dhe më i ndërlikuari”.

Kjo varet, për shembull, nëse do të gjendet një vaksinë. Deri më tani nuk ka vaksina për coronaviruse.

“Coronavirusi i ri, ka të ngjarë të jetë një pjesë e qëndrueshme e jetës në Shtetet e Bashkuara. Për të paktën një vit, nëse jo shumë më tepër”, paralajmëroi Yong. “Nëse raundi aktual i masave për distancimin shoqëror funksionon, pandemia mund të zvogëlohet sa duhet që gjërat të kthehen në një pamje të normalitetit”.

Kjo nuk do të thotë që shoqëria duhet të jetë në mbyllje të vazhdueshme deri në vitin 2022. Por “ne duhet të jemi të përgatitur të bëjmë periudha të shumta distancimi shoqëror”, tha Stephen Kissler nga Harvard.

Ekzistojnë dy faktorë, por ende të panjohur, që gjithashtu do të luajnë një rol: sezonaliteti i virusit dhe kohëzgjatja e imunitetit. Për shkak se coronaviruset kanë tendencë të jenë infeksione dimërore, “shumica e botës po presin të shohin se si ndikon vera”, tha Maia Majumder, gjithashtu e Harvardit.

Kjo kohë do të lejonte zhvillimin e vaksinave dhe trajtimeve antivirale, dhe shpërndarjen e kutive të testeve për të kapur virusin menjëherë sapo të kthehet. “Shpresa dhe pritja ime është që ashpërsia do të ulet dhe do të ketë më pak përçarje sociale”, tha Kissler. Në atë skenar, COVID-19 mund të bëhet si gripi sot, një sëmundje e përsëritur e dimrit.

3. Pasojat 

Kostoja e arritjes në atë pikë me sa më pak vdekje të jetë e mundur do të jetë e madhe. Ekonomia po vuan, dhe ka të ngjarë që pabarazia sociale, në një kontekst të papunësisë së lartë, do të përkeqësohet, e njerëzit me të ardhura të ulëta do të jenë më të prekura nga masat e distancuese.

Dhe kur COVID-19 fillon të venitet, “ajo do të ndjekë një epidemi e dytë e problemeve të shëndetit mendor”.

Njerëzit që vuajnë nga ankthi, tashmë po e vuajnë këtë epidemi.

Shumë incidente të dhunës në familje dhe abuzimit të fëmijëve pritet të shfaqen një ditë më pas.

Shumë të mbijetuarit nga HIV dhe Ebola janë refuzuar dhe stigmatizuar: a do të jetë e njëjta gjë për të mbijetuarit e COVID-19?

“Punëtorët shëndetësorë do të marrin kohë për t’u rikuperuar”, shkruan The Atlantic. “Një vit ose dy pasi SARS goditi Toronton, ata që u përballën me shpërthimin ishin akoma më pak produktivë dhe më shumë të ngjarë të pësonin rraskapitje dhe stresin post-traumatik. Njerëzit që kaluan periudha të gjata karantine do të mbajnë plagët e përvojës së tyre”, shkruhet në artikullin e gazetës.

Nëse rritja e HIV dhe AIDS ndryshoi përgjithmonë sjelljen seksuale dhe përdorimi i prezervativit u bë e zakonshme, a do të jetë larja e duarve tuaj për 20 sekonda edhe norma e re e natyralizuar?

Tani për tani, pandemitë dihet se janë katalizatorë të ndryshimeve shoqërore.

Nëse, pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, bota u përqendrua në anti-terrorizëm, mbase pas COVID-19, vëmendja u zhvendos në shëndetin publik. “Shpresojmë se do të ketë një rritje të fondeve për kërkimin e vaksinave, një rritje të numrit të studentëve që aplikojnë për programe të shëndetit publik dhe rritje të prodhimit kombëtar të furnizimeve mjekësore. Pandemitë pritet të kryesojnë agjendën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara”, parashikoi The Atlantic.

Këto ndryshime vetë mund të mbrojnë botën nga sëmundja tjetër e pashmangshme. “Vendet që kishin përvojë SARS kishin një vetëdije publike dhe për këtë gjë ata vepruan shpejt”, tha Ron Klain, i cili koordinoi përgjigjen e Shteteve të Bashkuara për Ebola në vitet 2014-2015.

Shprehja më e theksuar në vend sot është: “Unë kurrë nuk kam parë diçka të tillë më parë”. Ndërsa në Hong Kong, nga ana tjetër, askush nuk tha kurrë diçka të tillë. /Telegrafi/