Alaian Giresse është larguar nga detyra e përzgjedhësit në Përfaqësuesen e Kosovës pas më shumë se një viti në krye të kësaj detyre.

Largimi i tij erdhi pas rezultateve negative në kualifikueset për Euro 2024, ku nga katër ndeshjet e Grupit I, Kosova pati tri barazime dhe një humbje zhgënjyese ndaj Bjellorusisë.


Ishte Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) që sot (e martë) njoftoi ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin francez.

Por, kur do të emërohet përzgjedhësi i ri dhe çfarë profili po kërkon FFK-ja për gjashtë ndeshjet e mbetura në kuadër të Grupit I?

Telegrafi mëson se për përzgjedhësin e ri FFK nuk do të ngutet, pasi ndeshja zyrtare e radhës është më 9 shtator kundër Zvicrës.

274092013 1108328693346217 7475180897118966411 n

Do të analizohen edhe njëherë kandidatët që kishin aplikuar për pozitën e përzgjedhësit para se Giresse të zgjidhej në muajin shkurt të vitit 2022.

Trajnerët gjermanë dhe kroatë ishin ata më të pëlqyerit në atë kohë, por për arsye financiare u ngurrua të afrohej ndonjëri nga ta, ndërsa kësaj radhe nuk përjashtohet mundësia që edhe ndonjë trajner shqiptar të afrohet.

Ajo që FFK dëshiron është një profil i ngjashëm me Sylvinhon, i cili qëndron në Tiranë, udhëton shpesh te lojtarët, përcjell kampionatin dhe është 100 për qind i angazhuar në ekipin e tij, gjë që Giresse nuk e kishte.

Muaji korrik pritet të jetë vendimtar për përzgjedhësin e ri. /Telegrafi/

telegrafi sport app