“Kur nënshkrova për Dinamon ishte dita më e mirë e jetës sime" - Arbër Hoxha hap letrat

Sulmuesi shqiptar Arbër Hoxha ka dhënë një intervistë të gjatë të hënën për kanalin zyrtar të Dinamo Zagrebit, ku foli për fillimet e tij në Kroaci, emocionet e golave dhe eksperiencën me kombëtaren.
Hoxha, 27 vjeç, e konsideron nënshkrimin me Dinamon si një moment historik në karrierën e tij.
“Kur nënshkrova për Dinamon ishte dita më e mirë e jetës sime. Dinamo është një klub i madh, me tifozë të shkëlqyer dhe një përgjegjësi të madhe”, ka deklaruar Hoxha.

Në pjesën e parë të këtij sezoni, Hoxha ka shënuar gola vendimtarë për ekipin kroat. Ai veçon veçanërisht një gol kundër Rijekës.
“Goli kundër Rijekës ishte i veçantë. Ishte minuta e 80-të dhe siguroi tri pikë për ekipin. Momente të tilla mbeten përgjithmonë në kujtesë”, tha Hoxha.
Sulmuesi i krahut ka regjistruar deri tani gjashtë gola dhe tre asistime në 17 ndeshje në elitën e futbollit kroat. Ai foli edhe për emocionet që përjeton para tribunave të mbushura me tifozë.

“Kur sheh tifozët duke kërcyer dhe duke kënduar, është një ndjenjë e jashtëzakonshme”, shtoi Hoxha.
Megjithëse i kënaqur me paraqitjet e ekipit deri më tani, Hoxha e di se objektivi kryesor i Dinamos mbetet i njëjtë: të fitojnë titullin kampion.
“Gjëja më e rëndësishme është të jemi të parët në kampionat dhe të rikthejmë titullin në Zagreb. Ky është prioriteti i klubit”, nënvizoi ai.

Reprezentuesi i Shqipërisë u transferua në Dinamo Zagrebin në vitin 2024 nga Slaven Belupo. Në Kroaci ka luajtur gjithashtu për Lokomotivën e Zagrebit, ndërsa në Kosovë ka mbajtur fanellën e Ballkanit, Besës, Istogut dhe Prishtinës.
Hoxha tregoi gjithashtu për rutinën e tij ditore në Zagreb dhe për eksperiencën e paharrueshme me kombëtaren shqiptare në Evropianin 2024, në ndeshjen kundër Kroacisë në Hamburg. Ai u inkuadrua në minutën e 85-të, në një ndeshje që përfundoi baras 2-2.
“Ka qenë një ndeshje e çmendur. Gjysma e tribunave ishte e mbushur me tifozë kroatë dhe gjysma me përkrahës shqiptarë. Atmosfera ishte e jashtëzakonshme,” rrëfeu Hoxha.
Për kombëtaren e Shqipërisë, Hoxha ka zhvilluar 21 ndeshje dhe ka shënuar një gol. Para se të bashkohej me Shqipërinë, ai kishte luajtur tre ndeshje për Kosovën. /Telegrafi/




















































