Kur shkenca s’e kuptonte ankthin... e “shëronte” me masazh pelvik!

Në të kaluarën, gratë që përjetonin ndryshime humori, melankoli apo simptoma që sot njihen si ankth apo depresion, shpesh diagnostikoheshin nga mjekët me një gjendje të quajtur “histeri”.


Kjo diagnozë vinte nga fjala greke hystera, që do të thotë “mitër”, dhe besohej se çrregullimet emocionale kishin lidhje të drejtpërdrejtë me organet riprodhuese të femrës.

Mjekët mendonin se gratë që vuanin nga histeria kishin nevojë për çlirim seksual – por duke qenë se seksualiteti femëror ishte tabu, ata e shpjegonin këtë si një proces mjekësor dhe jo seksual.

Trajtimi përfshinte:

▪ Masazh të organeve gjenitale femërore nga një profesionist (zakonisht një mjek burrë)
▪ Qëllimi ishte të arrinin tek e ashtuquajtura “shpërthim histerik” – çka në të vërtetë ishte orgazma
▪ Kjo orgazmë besohej se "ripoziciononte" mitrën dhe kthente trupin në një gjendje të qetë e të balancuar.

Kërkesa për këtë “trajtim” u rrit aq shumë, sa shumë mjekë u ndjenë të ezauruar dhe kërkuan mënyra më efikase për ta realizuar atë.

Si pasojë, u shpik një pajisje elektrike që bënte të njëjtin funksion, pa pasur nevojë për ndërhyrje direkte nga mjeku. Kështu lindi vibratori – fillimisht një instrument mjekësor, i destinuar për praktika terapeutike.

Ironikisht, kjo shpikje u bë një nga pajisjet e para elektrike për përdorim në shtëpi – para rrobalarëses, fshesës me rrymë dhe hekurit të rrobave!

Në fillim, ky mjet u përdor vetëm në rrethe të larta dhe në mënyrë të kontrolluar. Më vonë, kur nisi të përdorej gjerësisht nga gratë, ai u perceptua si një objekt “i mëkatuar”, duke humbur kuptimin dhe qëllimin e tij të parë si mjet mjekësor.

Kur nisi të kuptohej ndryshe?

Vetëm në gjysmën e dytë të shekullit XX, koncepti i “histerisë” u hoq si diagnozë mjekësore. Sot, simptomat që atëherë konsideroheshin “histeri” klasifikohen si:

▪ ankth
▪ depresion
▪ çrregullime hormonale
▪ libido e lartë apo e ulët
▪ çrregullime emocionale të ndryshme

/Telegrafi/