LAJMI I FUNDIT:

Kur ka me u ba mirë n’Kosovë?

Kur ka me u ba mirë n’Kosovë?

Driton S. Bejtullahu

Secili qytetar i Republikës së Kosovës është përballur me dilemën se “a ka me u ba” dhe “kur ka me u ba mirë n’Kosovë?”. Rëndomë kemi thënë: “Kurrë”!? Sepse, rrethanat e krijuara e kanë zhgënjyer secilin prej nesh – qoftë për shkak të pritshmërive të mëdha pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë apo se në esencë jemi pesimistë se do të kemi një të ardhme më të mirë.

Euforia patriotike na verboi duke ia dhënë mundësinë për qeverisje secilit që “na prekte në tel” me tone “patriotike” apo me premtime për “të ardhme të mirë”, “zhvillim ekonomik”, “krijimin e mijëra vendeve të punës”… E ne, edhe pse të gënjyer – nga fushata në fushatë e duke mos bërë asgjë për ta ndryshuar këtë gjendje – vazhdonim të ëndërronim jetën me “standarde zvicerane”!


Shumë nga ne kemi rastisur ta dëgjojmë tregimin e bashkatdhetarëve se si në Perëndim, të moshuarat nga dritarja bashkëpunojnë me institucionet e rendit dhe lajmërojnë për çdo gjë të dyshimtë që vërejnë në lagjen e tyre. Për të “vëzhguar nga dritarja” edhe ne kemi mjaft të moshuar e të rinj, por shtet me rend dhe ligj si Zvicra nuk arritëm të ndërtojmë.

Një pjesë e fajit për këtë situatë na takon edhe neve, si qytetarë të Kosovës, sepse kishim aq bazë intelektuale dhe morale sa të ndikonim në këtë proces.

Apo e kam gabim?!

Dhënia e pushtetit personave jokompetentë sigurisht që u jep atyre mundësi të abuzojnë. Por, lakmia “po e bëka të vetën” dhe vërtetuam ndër vite se elektorati me të përzgjedhurit e vet nuk dallon shumë në Kosovë. Si “harrni për thes”!

Në anën tjetër, situata e brishtë ekonomike vazhdon të reflektohet me ikjen e qytetarëve nga Kosova. Për ata që nuk e dinë, Neni 35 i Kushtetutës se Republikës së Kosovës, pika 2, thotë: “Secili person ka të drejt të largohet nga vendi”. Ndaj, vendimi për largim, me bindjen se sigurohet jetesa më e mirë diku tjetër, është çështje personale që nuk duhet të mohohet. Në fakt, ne kemi nevojë që ta pasurojmë kulturën e punës me praktikat dhe përvojat e vendeve perëndimore dhe padyshim se mund të përfitojmë nga ky rast. E, shteti dhe elita politika le të vazhdojë të paguajë fuqi punëtore nga jashtë përderisa nuk ka strategji konkrete për ngritjen e kapaciteteve nga brenda. Dhe, nëse ndonjëherë kthehen gjeneratat e reja nga mërgimi, shpresojmë që shteti një ditë do t’ju ofrojë kushte më të mira. Pra, vazhdojmë të shpresojmë edhe njëherë në kontributin e mërgimtarëve, por këtë herë me dije e jo me para.

Por, si erdhëm deri këtu dhe si të dalim nga kjo situatë?

Thënë shkurt, sikur ta konsideronim Kosovën shtëpinë tonë, nuk do të vendosnim ta braktisim. Ne mund të drejtojmë gishtin nga “mjeshtrit” që ua kemi besuar ndërtimin me investimin tonë, por ja që përgjegjësia bie mbi ne. Mungesa e dashurisë dhe përkushtimit ndaj vendit tonë kthehet si bumerang.

Vitet e humbura padyshim që nuk kthehen mbrapa, por shpresë ende ka. Edhe Zvicra nuk përjashtohet nga listat e publikuara në raportet vjetore të Transparency International, për indeksin e perceptimit të korrupsionit. Por, në kulturën e zviceranëve shteti është i shenjtë dhe ka dëshmuar se funksionon në rastet e shpërblimit dhe të ndëshkimit të qytetarëve. Të politikanëve gjithashtu.

Ne, qytetarë të dashur, duhet ta analizojmë më situatën dhe të veprojmë me kokë e jo me zemër. Nëse vendosni të shërbeni në institucionet shtetërore apo publike, kujtojani vetes se jeni në shërbim të shtetit dhe se interesi juaj personal është në rend të dytë – sigurisht, nëse keni pak dashuri dhe respekt për këtë vend. Nëse vendosni të shërbeni në sektorin privat, përgjegjësia institucionale është pak më e vogël, por po e shkelët ligjin për të arritur më shpejt deri te profiti, ta dini se e keni barrën më të madhe të nxitjes së korrupsionit dhe të shkatërrimit të tregut e konkurrencës.

Mos u befasoni nëse në një të ardhme të afërt nuk do të ketë as fuqi blerëse për shkak se ju vendosët ta vidhni shtëpinë tuaj. Dhe, nëse shpresat për ndërtim të shtetit ndonjëherë i keni pasë tek miqtë ndërkombëtarë, kujtojeni thënien popullore: “Si dora jote s’të kruan kush”.

(Autori është themelues/CEO i kompanisë “Be Consulted”)