LAJMI I FUNDIT:

Kujtimi për komunitetin e zhdukur afrikan: Arapët e Ulqinit

Kujtimi për komunitetin e zhdukur afrikan: Arapët e Ulqinit
Gazetari Mustafa Canka pranë muralit të Rizo Surla në Ulqin (Foto: BIRN/Samir Kojasevic)

Një komunitet i vogël afrikan, kryesisht me prejardhje nga skllevër të sjellë nga piratët, është zhdukur prej kohësh nga Ulqini, por nuk është harruar.

Nga: Samir Kajosevic 

I ulur para shtëpisë së tij në qytetin bregdetar malazez të Ulqinit, Ruzhdi Kashoxha kujton foto=studion lokale, “Pinjes”. Pronari i saj, Rizo Surla, ishte ndoshta i mbijetuari i fundit i komunitetit të vogël afrikan në qytet.


“Rizo ishte një atraksion për turistët që vinin në Ulqin. Kur ai ecte në plazh, të gjithë donin të bënin një foto me të. Lëkura e tij e bukur shihej si diçka tërheqëse”, ka thënë Kashoxha (59 vjeç) për BIRN. “Komuniteti i vogël i njerëzve me ngjyrë ishte një nga simbolet e qytetit. Por, qëkur Rizo vdiq më 2003 dhe të tjerët u larguan, mbetet vetëm kujtimi i tyre”.

Ulqini deri vonë ishte i vetmi qytet në të gjithë rajonin me një komunitet me origjinë afrikane, në këtë rast, pasardhës të skllevërve të sjellë nga Afrika e Veriut.

Në ditët kur ishte pjesë e Perandorisë Osmane, Ulqini ishte treg skllevërish dhe bastion i piratëve, veçanërisht gjatë shekullit XVII.

Shumë kohë përpara se të fillonte tregtia e skllevërve transatlantike, osmanët kapën skllevër nga ato që tani janë Zanzibari, Kenia, Sudani, Nigeria, Libia dhe Arabia Saudite dhe i transportuan nëpër perandori. Ata krijuan një komunitet në Ulqin që numëronte rreth 500 veta, të quajtur “Arapë” (arabët) nga vendasit për shkak të ngjyrës së tyre.

“Ne jemi rritur me komunitetin me ngjyrë në Ulqin, pa asnjë ndarje apo mosbesim. Ata ishin fqinjët tanë dhe konsideroheshin të barabartë me komunitetin vendas shqiptar”, tha Kashoxha duke iu referuar popullatës me shumicë etnike shqiptare të Ulqinit. “Babai im, Beto, ishte shok i Rizo Surlës. Ishin të apasionuar pas peshkimit dhe kalonin shumë ditë në lumin Buna, afër Ulqinit”.

Nga viti 1650, Ulqini ishte pikë e rëndësishme tregtare për skllevër, të sjellë nga piratët vendas nga brigjet e Afrikës së Veriut. Në Perandorinë Osmane skllavëria ishte biznes jashtëzakonisht fitimprurës dhe skllevërit u bënë një mall i çmuar.

Për të pajisur flotat e tyre konkurruese që luftonin me të në Mesdhe, fuqitë rivale përdornin gjithashtu skllevër, të burgosur lufte dhe individë të tjerë të dënuar, të cilët ishin të lidhur me zinxhirë si rremtarë.

Si pjesë e Perandorisë Osmane, Ulqini ishte i njohur për tregun e skllevërve në qytetin e vjetër dhe disa vendas mbanin skllevër si të burgosur për të mbledhur shpërblime nga familjet e tyre. Sipas historianëve, skllevërit lejoheshin t’u tregonin familjeve të tyre se po mbaheshin robër, në mënyrë që të mund të ribliheshin. Transaksionet përfundimtare shpesh kryheshin në territor neutral, disa në Dubrovnik në bregdetin e Adriatikut.

Sheshi i tregut të skllevërve në Ulqin (Foto : BIRN/Samir Kojasevic)

Gazetari dhe kronisti i shquar ulqinak, Mustafa Canka, tha se popullsia e skllevërve me ngjyrë në Ulqin u rrit në shekullin XVIII kur piratët vendas filluan të sillnin skllevër nga ato që tani janë Sudani dhe Çadi.

“Shiteshin në portet e Mesdheut ose ktheheshin në Ulqin. Pas një kohe të caktuar, u bënë qytetarë të lirë dhe punonin në bujqësi apo peshkim”, tha Canka për BIRN. “Para viteve 1880, në Ulqin ishin njëqind familje afrikane, por kur qyteti u bë pjesë e Malit të Zi, shumica e tyre u shpërngulën në pjesë të tjera të Perandorisë Osmane”.

Në fund të shekullit XIX, Selim Shurdha, kapiten i anijes së famshme pirate “Gloria”, solli skllevërit e fundit në Ulqin.

Paraardhësit e Rizos shërbenin në shtëpinë e kapitenit dhe, sipas traditës vendase, morën mbiemrin e kapitenit që i robëroi ata. Skllevërit e tjerë morën gjithashtu mbiemrat e familjeve që i zotëronin ata.

Pasi skllavëria u ndalua, afrikanët e mbetur u bënë qytetarë të Malit të Zi, duke punuar si marinarë dhe tregtarë. Me kalimin e kohës u integruan me komunitetin vendas, duke folur shqip dhe duke praktikuar fenë islame. Disa kishin varkat ose dyqanet e tyre.

“Nuk kishte diskriminim racor. Komuniteti me ngjyrë trajtohej njëlloj si çdo tjetër. Disa afrikanë në Ulqin u martuan me popullsinë vendase. Në historinë e qytetit, parametri kryesor për t’u integruar ishte një kontribut për komunitetin, dhe komuniteti afrikan u bë një pjesë e rëndësishme e tij”, tha Canka.

Në fillim të shekullit të 20-të, komuniteti afrikan ishte zvogëluar në vetëm pesë familje. Shumica e tyre u shpërngulën pas Luftës së Dytë Botërore.

Rizo Surla mbeti në qytet me shtatë vëllezërit dhe motrat e tij. Babanë e tij e kishin sjellë në Ulqin në moshën 12-vjeçare si skllav nga Tripoli i Libisë, por fëmijët e tij kryesisht u martuan me njerëz të komuniteteve të tjera dhe nuk jetojnë më aty.

Në librin e saj “I am Arapi”, studiuesja Paula D. Royster shkroi se si afrikani i fundit në Ulqin, Rizo Surla, u bë një lloj ambasadori kulturor i qytetit.

“Mbahet mend si një njeri miqësor që kishte marrëdhënie të mira me të gjithë … vizitorët që vinin në verë në Ulqin e kërkonin në plazhe dhe përreth qytetit. Ai ishte një ambasador i mirë kulturor për Ulqinin … Rizo ishte simpatik dhe i pashëm”, shkroi Royster.

Para vdekjes së tij në shkurt të vitit 2003, gjatë tetë dekadave të jetës së tij ndikoi në jetën e Ulqinit si fotograf, peshkatar dhe bohem.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore u bashkua me partizanët jugosllavë dhe luftoi në frontin e Serbisë. Pas luftës u kthye në Ulqin dhe hapi studion e parë fotografike në qytet, e cila për një kohë të gjatë ishte e vetmja. Shumë kohë pasi studioja e tij, “Pinjes”, u mbyll në vitet 1990, kujtimi i tij mbeti në një mural, të pikturuar pranë trotuarit kryesor të qytetit.

“Që fëmijë mbaj mend që Rizo ishte gjithmonë i buzëqeshur. I rrethuar nga njerëz dhe duke rrezatuar një hijeshi dhe një energji pozitive. Komuniteti afrikan e deshi këtë qytet dhe fisnikëroi historinë e tij”, tha Kashoxha.

Trashëgimia e komunitetit tashmë të zhdukur jeton në një nga vallet tradicionale në Ulqin, të quajtur Dumsharaveli.

“Në këtë valle tradicionale lokale, ka pjesë të folklorit dhe këngëve afrikane. Edhe pse vallja lidhet me piratët vendas, disa pjesë janë marrë nga komuniteti afrikan. Gjatë festave, ata mblidheshin në fushën e ashtuquajtur ‘Arapi’ dhe performonin valle dhe këngë tradicionale”, tha Canka. /BIRN/Reporter.al//Titulli origjinal: Kujtimi i komunitetit të zhdukur afrikan jeton ende në Ulqin/

Në trend Kultura

Më shumë
Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Kulture
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
GJUHA SHQYPE

GJUHA SHQYPE

Poezi
HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR

HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR

Fjala+
KUMBULLA PËRTEJ MURIT

KUMBULLA PËRTEJ MURIT

Fjala+
NJË POEZI PËR PAQEN

NJË POEZI PËR PAQEN

Poezi
Kalo në kategori