LAJMI I FUNDIT:

Kuanti

Kuanti
Ilustrim

Nga: Mimoza Hafizi

Dihet dhe pranohet se shkenca i prin njerëzimit, por rrallëherë ndodh që një teori e vetme shkencore të orientojë thelbësisht perspektivat e zhvillimit botëror. E, megjithatë, kjo ngjau 100 vjet më parë dhe shkenca në fjalë quhet Mekanika e Kuantit ose Mekanika Kuantike. Për këtë arsye, Kombet e Bashkuara e kanë shpallur 2025-ën si Vitin Ndërkombëtar të Shkencës dhe Teknologjisë Kuantike. Kuanti u shfaq si objekt dhe lindi si term mes fizikanëve, disa dekada para se të ngrihet teoria e tij. I vogël, krejt mikroskopik, i kudopranishëm, enigmatik, ai tërhoqi shkencëtarët në vorbulla idesh, interpretimesh, eksperimentesh, hipotezash.

Në vitin 1925, një fizikan i ri gjerman, me moshë sa ajo e vetë kuantit, 24-vjeçari Werner Heisenberg, shkroi një artikull me arsyetime krejt të ndryshme nga fizika e asaj kohe. Kjo ngjarje shënoi lindjen e teorisë së kuantit, pra të Mekanikës Kuantike. Përkufizimi i kuantit gjendet në çdo enciklopedi. Por, ai nuk është lehtësisht i kuptueshëm. Në këtë shkrim më duket më interesante t’ju them: hidhni sytë rreth e rrotull, çdo send që shihni është i përbërë nga grimca mikroskopike që shkëmbejnë me porcione, pra me kuante energjie dhe ekzistojnë në formë kuantesh. Kjo formë ekzistence i shpëton sendet nga tjetërsimi dhe asgjësimi. Përndryshe, natyra do të ishte pa ne, pa objektet e qeniet e gjalla që mbushin jetën tonë, pa Tokën ku jetojmë. Nuk do të kishte as Diell i cili ngroh e jep dritë përmes rrezatimit të tij në formë kuantesh, që quhen fotone. Nuk do të kishte as yje e as galaksi.


Ndonëse i vogël, kuanti është i vështirë për t’u kuptuar e shpjeguar. Sisteme shumë të mëdha e të komplikuara mund të shpjegohen më thjesht, si për shembull, sistemi gjigant i komunikimit dhe informimit që ne njerëzit kemi vendosur mes njëri-tjetrit, Facebook, Instagram … televizion, radio, telefon … E, megjithatë, ky sistem nuk do të ishte ngritur kurrë nëse disa fizikanë, një shekull më parë, të mos kishin zbuluar kuantin dhe teorinë e tij.

Mbase do të thoni se për dreq ky sistem gjigant ka rritur edhe mashtrues e gënjeshtarë, shantazhues e hileqarë, e në krye ka ndonjë bos që krekoset mbi platformat e tij për ta ndryshuar botën përmes të vërtetave apo gënjeshtrave që i ka marrë në monopol. Por, ky nuk është faji as i kuantit e as i baballarëve të tij që e sollën mes nesh. Me gjithë abuzuesit, ardhja e tij ishte një hap i madh në progresin e njerëzimit. Edhe energjia bërthamore, ky term kaq turbullues e ndërkohë burim i rëndësishëm për ekonominë, mund ta gjejë rrugën për t’u kuptuar. Mund të shpjegohen edhe përpjekjet e disa laboratorëve për të prodhuar energjinë termobërthamore, shumë të pastër për mjedisin dhe me burime të pamata mbi Tokë. Por, asnjëri nga këto procese nuk do të kishte hyrë në jetën tonë nëse fizikanët e shekullit të shkuar të mos zbulonin se si funksionon bota mikroskopike, ku kuanti është zot.

Me siguri do të thoni se për dreq janë krijuar edhe armët bërthamore, që disa diktatorë i disponojnë dhe kanosin me shkatërrim për të bërë zap jetët e njerëzve. Por, ky nuk është faji as i kuantit e as i baballarëve të tij që e sollën mes nesh. Me gjithë përdorimin e gabuar, ardhja e tij ishte hap gjigant në dobi të njerëzimit. Më lehtë do të kisha të shpjegoja edhe inteligjencën artificiale, që po mahnit dhe frikëson me fuqinë e saj të kolosale. Por, pa revolucionin shkencor të nisur 100 vjet më parë, as kjo qenie e re marramendëse nuk do të ishte mes nesh. Fizika e kuantit është teoria më e frytshme në të gjithë historinë e njerëzimit. Si do të ishte sot bota pa këtë shkencë? Pa kompjuterë, pa internet, pa transport masiv, pa ndërlidhje të çastit, pa teknika të sofistikuara mjekimi, prodhimi, shërbimi, pa aeroplanë e trena të shpejtësisë së lartë, pa stacion hapësinor e sonda që kanë kapërcyer kufijtë e Sistemit Diellor. Askush s’ka as imagjinatë e as dëshirë për t’u përgjigjur.

E ngjizur në Gtingen të Gjermanisë, në Paris të Francës, në Vjenë të Austrisë, në Krembrixh të Anglisë, në Kopenhagë të Danimarkës, në ato ditë e net të vitit 1925, kjo shkencë atipike, me simbolet dhe postulatet e saj jashtë serie, ka zotëruar çdo aspekt të jetës moderne. E nisur në laboratorë dhe artikuj fizikanësh, ajo sot është pjesë e çdo procesi të jetës moderne. Kompjuterët, komunikimi, interneti, teknologjia, inxhinieria, ndërtimi, makinat e robotika, transistorët, mikroçipat, laserat, rezonanca magnetike, super-rrjedhjet, orët atomike, super-përcjelljet, superkompjuterët, nanoteknikat janë terma që ndoshta e kam më të lehtë t’i shpjegoj sesa vetë kuantin, atë formë ekzistence të objekteve në mikrobotë. Sepse, ato janë shprehja e tij makroskopike, në botën ku ne, qeniet e gjalla, kemi lindur e jemi zhvilluar e ku intuita jonë është formuar. Kjo intuitë nuk e ka të lehtë të hyjë në një botë mikroskopike, miliarda herë më të vogël. E, megjithatë, disa njerëz ia dolën ta disiplinonin kuptimin e asaj bote të vogël në një teori, 100 vjet më parë.

Në këtë vit të shkencës dhe teknologjisë kuantike do të jetë rasti të dihet e të flitet më shumë për fizikën e emrat e saj të mëdhenj, që i hapin njerëzimit horizontin për mundësi të reja. Këta zbulues si Einstein, Heisenberg, Born, Dirac, Schrödinger, Bohr, De Broglie janë pararoja e vërtetë e njerëzimit dhe vlera e tij e përhershme. Në dritën e tyre, diktatorët e epokës sonë do të duken mjeranë. Fizikanët, si dhe kërkuesit e të gjitha fushave të shkencës, e kanë bërë shkëlqyer detyrën e tyre e vazhdojnë ta bëjnë me shumë përkushtim. Të tjerët le të përpiqen që flakën e dijeve ta kthejnë në dritë mirëqenieje e jo në zjarr për të djegur njerëzimin apo në lumë mashtrimi për të përmbytur mendjet e lëna në errësirë.