Kthesë e papritur për të ardhmen e Igor Tudor - kontrata e re vjen me ndryshim

Juventusi ka arritur marrëveshje me trajnerin Igor Tudor për vazhdimin e kontratës deri në qershor të vitit 2027, me opsion për zgjatje edhe për një vit tjetër, ndryshe se si ishte parashikuar.
Tudor mori drejtimin e “Zonjës së Vjetër” më 23 mars 2025, pasi Thiago Motta u shkarkua pas një ecurie katastrofike.
Nën drejtimin e kroatit, Juventusi mbylli sezonin me pesë fitore, tre barazime dhe vetëm një humbje, duke e përfunduar kampionatin në vendin e katërt dhe duke siguruar kualifikimin për në Ligën e Kampionëve.
Edhe pse fillimisht kishte pasiguri në lidhje me të ardhmen e tij, për shkak të vonesave për zyrtarizim dhe refuzimeve nga trajnerë si Antonio Conte dhe Gian Piero Gasperini, drejtuesit e Juventusit vendosën t’i besojnë Tudorit për të ndërtuar një skuadër konkurruese në sezonet e ardhshme.
Kontrata e mëparshme kishte një klauzolë automatike për zgjatje deri në vitin 2026 nëse klubi përfundonte në top katër, por me marrëveshjen e re, trajneri 47-vjeçar do të jetë në krye të skuadrës deri në 2027, me mundësi shtyrjeje deri më 2028. Kroati gëzon besimin e plotë të Damien Comollit dhe Giorgio Chiellinit.
Igor Tudor ka një lidhje të gjatë me klubin bardhezi. Ai ishte pjesë e Juventusit si lojtar nga viti 1998 deri më 2007, ndërsa në sezonin 2020/21 shërbeu si ndihmës i Andrea Pirlos në stolin teknik. /Telegrafi/









































