Nga: Deborah Nicholls-Lee / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
“Kur hyra brenda dhe e pashë, mbeta i shtangur,” thotë artisti britanik i lindur në Dominikë, Tam Joseph, përkitazi me takimin e tij të parë me Kavalierin e buzëqeshur [The Laughing Cavalier, 1624] – të piktorit holandez Frans Hals (1582-1666) – në Koleksionin Uollës në Londër. “Ishte një vepër e mahnitshme,” thotë ai.
Takimi me këtë portret me përmasa reale, do të frymëzojë Legjendari i buzëqeshur me Stratokaster [Laughing Legend with Stratocaster, 2012–2019], një nga veprat më të dashura të Josephit. E shfaqur në ballinën e librit të botuar së fundmi, Di se çfarë shoh [I Know What I See], piktura bashkon dy nga gjërat e tij të preferuara: Jimi Hendrixin të cilin e ka parë në Teatrin “Savil” më 1967 dhe Kavalierin e buzëqeshur (1624) të Frans Halsit që nga ai përshkruhet si “një nga portretet më të mëdha të të gjitha kohërave.”
Vepra karizmatike e Halsit, Kavalieri i buzëqeshur – një nga pikturat më të çmuara të historisë së artit – për herë të parë, që nga viti 1888, është nxjerrë nga Koleksioni Uolës për të marrë pjesë në Ekspozitën The Credit Suisse: Frans Hals që së fundmi u hap në Galerinë Kombëtare të Londrës e që është ekspozita e parë kryesore monografike që Halsit i kushtohet në më shumë se 30 vjet.
Kavalieri i buzëqeshur është bërë një nga fytyrat më të njohura në art, me buzëqeshjen delikate dhe mustaqet e përdredhura që haset në kutitë për biskota, në karfica dhe reklama birre dhe që e frymëzoi një roman të vitit 1914 dhe një mjuzikël të vitit 1937. Teksa i afrohemi 400-vjetorit të pikturës, ajo vazhdon të japë përgjigje të reja krijuese.
Në vitin 2020, kur pandemia detyroi mbylljen e muzeve, artisti i rrugës, Lionel Stanhope, Kavalierin e buzëqeshur e nxori jashtë duke e pikturuar në një mur në Leuisham. Stanhope thotë se këtë e bëri “për të nxitur aftësitë e mia në pikturë” dhe sepse i pëlqente “humori për të parë diçka të tillë në rrugë dhe jo në galeri.”
Një vit më vonë dhe ende gjatë pandemisë, artisti me bazë në Irlandë, Brad Grey, e “modernizoi” portretin duke e ndërruar kokën e kalorësit me një emoxhi të buzëqeshur dhe duke ia atribuuar veprën njëfarë Frans HaHaHaHals-it fiktiv. “Shprehja e Kavalierit në pjesën origjinale nuk është në të vërtetë buzëqeshje, por më shumë është një pamje paksa zbavitëse,” thotë Grey. “E kam përdorur emoxhin ‘e qeshjes histerike’, për t’ia shtuar paksa humorin.”
Për Dr. Lelia Packer, kuratore në Koleksionin Ualës dhe bashkautore e Frans Kals: Portreti i një burri [Frans Hals: The Male Portreit, 2021], portreti është “i jashtëzakonshëm.” “Portretet prireshin të ishin paksa më serioze në atë kohë,” shpjegon ajo, por këtu kemi sy flirtues, faqet e skuqura dhe – mbi të gjitha – një buzëqeshje të nuancuar që ta kujton portretin tjetër të spikatur të pikturuar 100 vjet më parë: Mona Lisa nga Leonardo da Vinci.
“Frans Hals hyn në një skenë të përcaktuar dhe atë e ndryshon përmes llojit të portreteve që bën,” thotë Bart Cornelis – kurator i Ekspozitës Credit Suisse: Frans Hals – në një film të shkurtër për Galerinë Kombëtare. “Bukuria e Frans Halsit është se kaq mirë i karakterizon njerëzit,” shton ai. “Në fakt, mund të lidheni me këta njerëz … Është diçka që ai e bën më mirë se kushdo tjetër.”
Për bashkëkohësit e tij, portreti “dukej se jetonte dhe merrte frymë,” siç pajtohet Packer. “Pavarësisht se ku qëndron, vazhdon të të shikojë dhe është tepër magjepsëse.” Gjithashtu, bie në sy kompleksiteti i punës. Ikonografia në xhamadanin e tij, për shembull, që përmban simbole të “pasurisë, forcës, virtytit dhe dashurisë,” është jashtëzakonisht e pazakontë për portretet holandeze të asaj kohe dhe mund të tregojë idealet e tij personale si dhe arsimimin e tij të lartë.
Është një pikturë që thotë gjëra të ndryshme, për njerëz të ndryshëm. Kur Josephi e ka parë veshjen e mrekullueshme me fije ari dhe kapelën e zezë të gjerë, ai mendoi: “Kështu vishet Hendrixi.” Kitaristi i kishte lënë përshtypje të madhe (“Nuk e kisha parë kurrë një të ri me ngjyrë që dukej se e kishte kontrollin”) dhe kishte kuptim ta përshkruante në pozën e kavalierit.
Ishte gjithashtu një mënyrë për të shtuar dukshmërinë e njerëzve me ngjyrë në art. “Në shumë piktura, gjithmonë ishte një person i zi i vogël,” shpjegon Joseph. Familja në peizazh [Family Group in a Landscape, 1645–1648] e Halsit u rishikua nga artisti amerikan Titus Kaphar me veprën e tij të vitit 2017, Zhvendosja e shikimit [Shifting the Gaze] ku fshiu njerëzit e bardhë për ta nxjerr në pah shërbëtorin e vetëm me ngjyrë të fshehur në hije.
Megjithatë, entuziazmi për Frans Halsin, që vdiq në varfëri relative, kryesisht u shfaq pas vdekjes të tij. Popullariteti i Kavalierit të buzëqeshur i atribuohet lavdërimit që iu bë më 1868 nga kritiku i njohur Théophile Thoré-Bürger, por lufta dramatike e ofertave për këtë vepër, dy vjet më parë, bëri që të shitet me çmimin gjashtë herë më të lartë sesa vlerësimi fillestar, duke rënë kështu në duart e Markezes IV të Hertfordit – njërës prej themeluesve të Koleksionit Uolës, ku piktura ka qëndruar që atëherë.
Shumë shpejt, thotë Marrigje Rikken, drejtuese e koleksioneve dhe ekspozitave në Muzeun “Frans Hals” të Holandës në Harlem, “çdo muze në Evropë donte të kishte piktura të Frans Halsit.” Në vitin 1888, vepra e artit e njohur më parë thjesht si “portreti i një burri” dhe që besohet të ishte një tregtar i pamartuar 26-vjeçar, u bë e njohur si Kavalieri i buzëqeshur – me shumë gjasa duke u frymëzuar nga shpata e personit dhe qëndrimi mashtrues.
Ky titull tërheqës, veprën e bëri edhe më të paharrueshme dhe Kavalieri i buzëqeshur u bë motiv për pasurimin dhe maskulinitetin, gjë që vazhdoi deri në shekullin XX kur u çmua si “burri më i madh i zonjave,” nga The Radio Times (1970), dhe që u përdor për të shitur alkool dhe duhan.
Si simbol krenar i patriarkatit, kjo figurë gazmore është ndoshta më pak e dashur kur shikohet nga lentet feministe. Artistja me bazë në Australi, Kate Revill (1985), atë e trajtoi më 2020, duke e huazuar titullin e Kavalierit të buzëqeshur për një portret gruaje në një seri që përshkruan tiparet e “grave të forta të bukura.”
Megjithatë, ishte teknika dhe aftësia e guximshme ekspresive e Halsit, për të kapur shkurtësinë e jetës, ajo që modernistët e hershëm të viteve 1800 i tërhoqi drejt portreteve të tilla si Kavalieri i buzëqeshur, thotë Rikkeni. “Një shpirt të afërt e gjetën te Frans Halsi,” thotë ajo. “Ai ishte një shembull shumë i rëndësishëm për ta.”
Veprat me stil të lirshëm të Halsit e nxitën impresionistin gjerman Max Liebermann (1847-1935) të shprehej: “Sa herë që shoh një Frans Hals, më vjen të pikturoj, por kur shoh një Rembrandt, më vjen të heq dorë!.” Dhe, thuhet se piktori amerikan James McNeill Whistler (1834-1903) ishte aq i magjepsur nga teknikat e përdorura nga Halsi te Kujdestaret e shtëpisë së të moshuarve në Harlem [Regentesses of The Old Men’s Alms House, 1664) saqë zgjati dorën për të ndjerë ngjyrën në njërën nga fytyrat.
John Singer Sargent (1856-1925), i cili njihet për teknikat për të cilat pionier ishte Halsi 300 vjet më parë, ishte një tjetër adhurues i zjarrtë që ka thënë se “është e vështirë të gjesh dikë që di më shumë për pikturën me vaj sesa Frans Halsi,” duke ringjallur kështu teknikën në portretet e burrave dhe grave si versione të pozës klasike të “bërrylit të rilindjes”, që ne e shohim te Kavalieri i buzëqeshur.
Metoda alla prima e Halsit, pa skica, ishte gjithashtu temë e një letre që Van Goghu ia shkroi vëllait të tij Theo në tetor 1885, ku u entuziazmua me teknikën e Halsit “për t’i bërë gjërat me një hap.” Van Goghu e aplikoi këtë qasje te pikturat e veta, duke shkruar një muaj më vonë: “Në ditët e sotme – nuk më pëlqen asgjë më shumë sesa të punoj me një furçë – të vizatoj gjithashtu me të – në vend që të bëj një skicë me laps qymyri.”
Në shumë mënyra, Kavalieri i buzëqeshur kombinon gjithë elemente që kritikët dhe artistët admirojnë te Halsi. Personaliteti rrezaton nga telajoja dhe pozicioni i tij krijon intimitet me shikuesin. Në kapelë shohim “njëzet e shtatë të zezat” që Van Goghu në mënyrë të famshme i lartësoi, dhe kryevepra gjithashtu shfaq një mori të qasjeve: nga detajet e vogla, si p.sh. dantella, deri te bravurat e guximshme të penelit të përdorura në brezin e mëndafshtë.
“Gjërat që ishin jashtëzakonisht të vështira, Frans Halsi i bëri të dukeshin të lehta,” thotë Joseph. Krahasuar me Rubensin ose Michelangelon, “lëvizjet e tij të penelit duken pothuajse mospërfillëse,” thotë ai. Për dallim, Legjendari i buzëqeshur me Stratokaster e Josephit ishte “proces i ngadaltë dhe eksplorues” që zgjati shtatë vjet – jo më pak, sepse ndryshe nga Halsi i cili e kishte modele jete, Josephi duhej të punonte nga fotografia, një proces të cilin e përshkruan si “jashtëzakonisht të vështirë.”
Shumë prej artistëve tanë më të mëdhenj jo vetëm që krijuan vepra të frymëzuara nga Halsi, por mësuan prej tij duke u përpjekur të kopjojnë disa nga veprat e tij më ambicioze. Édouard Manet, Antoine Vollon, Mary Cassatt, John Singer Sargent, William Merrit Chase dhe Max Liebermann bënë pelegrinazhe në Harlem për të bërë kopje të mundimshme të pikturave të Halsit.
Megjithatë, Josephi dëshiron të theksojë se Legjendari i buzëqeshur me Stratokaster është më ndryshe. “Nuk u përpoqa të kopjoj Frans Halsin. Është e pamundur!,” thotë ai. “Mund të jeni në gjendje të kopjoni një nga pikturat e Picassos, mund të kopjoni një Caravaggio ose pothuajse të mashtroni njerëzit me imitim të da Vincit – por, kjo nuk do të funksionojë me Frans Halsi. Këtë teknikë nuk e kam parë kurrë duke u përdorur diku tjetër.” /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Platforma ku mund ta shikoni duelin e vitit Jake Paul - Mike Tyson
Cristiano Ronaldo po largohet nga Al Nassr shkaku i garës së FIFA-s
Publikohet lista e plotë me rregullat kontroverse për luftën Mike Tyson - Jake Paul
Trump dëshiron ta mbyllë Departamentin e Arsimit - çfarë do të thotë kjo për edukimin shkollor
Ledri Vula e pranon se ka fjetur me një fanse
John Thune zgjidhet kryetar i Senatit Amerikan - kandidati që donin shqiptaro-amerikanët