Telegrafi

Kryetari Elezaj: Shtëpia për të moshuar po bëhet realitet në Klinë

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, së bashku me drejtorin e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Agron Bacaj, dhe drejtorin e Urbanizmit, Enver Berisha, kanë kryer një inspektim të rëndësishëm të punimeve që po zhvillohen për ndërtimin e një shtëpie për të moshuar, ky projekt, i cili ka rëndësi të veçantë, pritet të përfundojë në mesin e vitit 2025.

Kryetari Elezaj, përmes një postimi në Facebook, theksoi se kujdesi ndaj të moshuarve është një detyrim moral dhe institucional.

Shtëpija për të moshuar e cila pritet të përfundojë në vitin 2025/ Foto nga Komuna e Klinës, Facebook

Ai nënvizoi se shumë prej tyre kanë kaluar një rini të vështirë, dhe është përgjegjësi e komunës të sigurojë që ata të kenë kushte dinjitoze për një jetë të qetë dhe të sigurt. Sipas tij, kjo shtëpi për të moshuar do të jetë e pajisur me të gjitha kushtet moderne dhe do të ofrojë shërbime të avancuara për banorët e saj.

Kryetari Elezaj gjatë inspektimit/ Foto nga Komuna e Klinës, Facebook

“Shtëpia për të moshuar do të jetë e pajisur me të gjitha kushtet moderne, me staf shëndetësor që kujdesen për të moshuarit, me dhoma për kontrolle mjekësore, ashensor, kuzhinë, klima, dhe do të akomodojë deri në 40 persona”, ka shkruar kryetari Elezaj.

Kryetari Elezaj me bashkëpuntorë gjatë inspektimit/ Foto nga Komuna e Klinës, Facebook

Gjithashtu, ai ka theksuar se ky projekt do të jetë një ndihmesë e madhe për moshën e tretë, pasi shumë prej tyre kanë kaluar një rini të vështirë, dhe është përgjegjësi e komunës të sigurojë që ata të kenë kushte dinjitoze për një jetë të qetë dhe të sigurt.

“Po ashtu, do të shërbejë edhe për qëndrim ditor, ku të moshuarit do të kenë hapësira për aktivitete ditore. Një pjesë e të moshuarve rininë e kanë kaluar në kohëra të vështira. Përveç mungesës së lirisë, ju ka munguar edhe standardi i duhur ekonomik. Disa prej tyre kanë përjetuar ngjarje të rënda. Tani është obligim i ynë moral dhe institucional që të kujdesemi për ta”, ka përfunduar Elezaj.

Me përfundimin e tij në mesin e vitit 2025, kjo Shtëpi për të Moshuar do të bëhet një model për kujdesin ndaj këtij grupi të rëndësishëm të shoqërisë, duke ofruar jo vetëm strehim, por edhe një vend ku ata mund të ndihen të respektuar dhe të mbështetur.