Kryeministri kanadez i përgjigjet Trumpit: Kanadaja nuk jeton falë SHBA-së

Kryeministri kanadez, Mark Carney iu përgjigj të enjten kërcënimeve dhe fyerjeve të fundit të presidentit amerikan Donald Trump, duke theksuar në një fjalim se vendi i tij “nuk jeton falë Shteteve të Bashkuara”.
Reagimi i Carney-t vjen pas një jave përshkallëzimi të marrëdhënieve mes dy vendeve, shkruan CNN.
“Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara kanë ndërtuar një partneritet të jashtëzakonshëm në ekonomi dhe siguri, si dhe një shkëmbim të pasur kulturor”, tha Carney gjatë një fjalimi në Citadelën e Quebec Cityt.
“Por Kanadaja nuk jeton falë Shteteve të Bashkuara. Kanadaja përparon sepse ne jemi kanadezë”, shtoi ai.
Më pas, duke folur në frëngjisht, Carney citoi një slogan të njohur politik të Kebekut: “Ne jemi zotër në shtëpinë tonë. Kjo është toka jonë, kjo është e ardhmja jonë dhe zgjedhja është e jona”.
Vendi i mbajtjes së fjalimit nuk ishte i rastësishëm. Citadela u ndërtua në vitin 1820 për t’u mbrojtur nga forcat amerikane, më pak se një dekadë pas një pushtimi amerikan të pasuksesshëm të Kanadasë.
Ndërkohë, Trump ka ashpërsuar këtë javë retorikën e tij kundër Kanadasë. Të martën, ai publikoi një imazh të Amerikës së Veriut ku Kanadaja, Grenlanda dhe Venezuela ishin të mbuluara me ngjyrat e flamurit amerikan.
Një ditë më vonë, gjatë një fjalimi në Davos të Zvicrës, Trump pretendoi se Kanadaja është mosmirënjohëse për shumë “përfitime falas” që, sipas tij, merr nga Shtetet e Bashkuara. /Telegrafi/





















































