Kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu, dënohet me 20 muaj burg

Kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu, një figurë kryesore në opozitën turke, është dënuar me 20 muaj burg për "fyerje dhe kërcënim" të prokurorit të qytetit.
Çështja është një nga një seri çështjesh kundër Imamoglu, rivalit kryesor të Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili është tashmë nën arrest për akuza për korrupsion, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Arrestimi i tij në mars si pjesë e asaj çështjeje shkaktoi protestat më të mëdha në rrugë në Turqi në më shumë se një dekadë.
Seanca e sotme dëgjimore u zhvillua në kompleksin e gjykatës dhe burgut në Silivri, në periferi perëndimore të Stambollit, ku Imamoglu është mbajtur që nga arrestimi i tij, raportoi AFP.
Imamoglu, i cili u paraqit në gjykatë, i mohoi të gjitha akuzat, duke thënë se po persekutohej për planet e tij për të kandiduar kundër Erdoganit në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.
Prokurori fillimisht kërkoi një dënim deri në shtatë vjet e katër muaj burg për Imamoglun dhe një ndalim për të mbajtur poste politike.
Imamoglu u zgjodh kryetar i bashkisë së Stambollit në vitin 2019 dhe u rizgjodh në vitin 2024.
Ai u arrestua më 19 mars në lidhje me një hetim për korrupsion dhe akuza për "lidhje me terroristët".
Seria e akuzave kundër tij mund ta pengojë atë të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. /Telegrafi/


















































