KRU “Hidroregjioni Jugor” siguron furnizim me ujë përmes autobotëve në lagjet e prekura në Prizren

Pas turbullimit të burimeve të ujit të pijshëm si pasojë e reshjeve të fundit, KRU “Hidroregjioni Jugor” ka vendosur masat e menjëhershme për të garantuar furnizimin e qytetarëve në zonat e prekura.
Sipas njoftimit të kompanisë, gjashtë autobota janë angazhuar dhe do të jenë në terren gjatë gjithë ditës për të furnizuar me ujë të pijshëm banorët në lagjet e mëposhtme: Lagjja Bajram Curri – tek QMF, Lagjja Jeta e Re – tek QMF, Lagjja Arbana – tek QMF, Lagjja Ortakoll – tek Xhamia e Antalisë, Lagjja Kurillë – tek QMF, Lagjja Petrovë – tek QMF, raporton Telegrafi.
"Autobotet do të jenë në qarkullim të vazhdueshëm brenda lagjeve përkatëse, me qëllim që furnizimi të kryhet në mënyrë sa më të shpejtë, të drejtë dhe të qasshme për të gjithë qytetarët e zonave të prekura", tha KRU “Hidroregjioni Jugor”.
Furnizimi me ujë përmes autobotëve do të bëhet deri në orën 16:00, sipas pikave referente të shërbimit. Për çdo informatë shtesë, qytetarët mund të kontaktojnë Qendrën e Thirrjeve në numrin 0800 44 000, ndërsa përditësimet e mëtejshme do të publikohen në faqen zyrtare në Facebook dhe në webfaqen: hidroregjioni-jugor.com.
Kompania u bën thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe bashkëpunim gjatë kësaj situate emergjente, duke siguruar se ekipet e saj janë të angazhuara pandërprerë deri në normalizimin e plotë të furnizimit me ujë. /Telegrafi/


















































