Kritikuesi më i madh i Putinit pasi u helmua, tani është në gjendje kome

Lideri i opozitës ruse, Alexei Navalny është në gjendje kome në një spital të Siberisë pasi dyshohet se është helmuar duke pirë një filxhan çaji.
Politikani 44-vjeçar gjendet në kujdesin intensiv dhe në një ventilator artificial të mushkërive, tha zëdhënësja Kira Yarmysh, raporton reuters.
Një kritik i ashpër i Presidentit Vladimir Putin, Navalny filloi të ndjehet i sëmurë kur u kthye në Moskë nga Tomsku i Siberisë, transmeton Telegrafi.
“Supozojmë se Alexei ishte helmuar me diçka të përzier në çajin e tij. Ishte e vetmja gjë që pinte në mëngjes. Mjekët thonë se toksina ishte zhytur më shpejt përmes lëngut të nxehtë. Alexei tani është pa vetëdije", tha Yarmysh.
Ajo nuk e di se kush ka mundur ta helmojë Navalnyn, por tha se policia ishte thirrur në spital.
Ndryshe, një prej mjekëve që po kujdeset për shëndetin e politikanit tha se nuk është e sigurt se Navalny është helmuar. Doktori Anatoly Kalinichenko tha se "helmimi natyror" ishte një nga disa diagnozat që po shqyrtoheshin dhe testimet po kryhen. /Telegrafi/





















































