Site icon Telegrafi

Dështon seanca e Kuvendit të Kosovës, shtyhet diskutimi për kredinë e KOSTT-it dhe Ngrohtoren Solare të Prishtinës

Ka dështuar seanca e Kuvendi të Kosovës lidhur me shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregu (KOSTT) dhe Frankfurt Am Main (KfW) dhe pikën për shqyrtimin për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë me Bankën Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja Solare e Prishtinës”.

Sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati kjo kredi do të përdoret për përmirësimin e sistemit të transmisionit.

“Me anë të kësaj marrëveshje, Qeveria e Kosovës do të marr nga KfW hua në vlerë prej 25.5 milionë euro, shumë kjo që do të nën huazohet te KOSTT-i dhe këto mjete do të përdoren për përmirësimin e sistemit të transmisionit”, tha Murati.

“Norma e interesit do të përcaktohet pas disbursimit të kredisë, tarifa e zotimit do të jetë 0.25 për qind në vit, kurse tarifa e menaxhimit do të jetë 1 për qind nga shuma e kredisë”, ka shtuar ai.

Ndërsa, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala ka theksuar se Qeveria Kurti dhunshëm po ia merr paratë KOSTT-it.

“Qeveria Kurti me ministrin e tij dhunshëm ka bindur menaxhmentin e KOSTT-it që mjetet e mbetura nga buxheti i parealizuar i investimeve t’i merr dhunshëm e t’i paguaj humbjet në veri të Kosovës”, theksoi Shala gjatë seancës së Kuvendit.

Ai ka kërkuar që duhet të jepen llogari për rezolutën e miratuar lidhur me gjendjen në KOSTT.

“Para se të marrin kredi, ministri duhet të na jep llogari se sa është zbatuar rezoluta. Prandaj, jo reale të vihet që të kërkohet kredi pa na shpjeguar rezolutën e këtij Kuvendi. Për tre vitet e Qeverisë Kurti po hyn për herë të dytë në kredi. Qeveria po ia merr paratë KOSTT-it”, ka kërkuar ai.

Shala përfundoi se PDK kërkon që të shtyhet kjo marrëveshje.

“Ne nuk mund të marrim pjesë në aferat korruptive të qeverisë. E keni bastarduar dhe për këtë grupi parlamentar i PDK-së kërkon që të shtyhet kjo marrëveshje”, përfundoi ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri është shprehur se vendi është para një bllokade të faktorit ndërkombëtar.

“Mungesa e komunikimit në mes të Qeverisë dhe opozitës, shihet se nuk ekziston. Sugjerimi im është të diskutohet. Kosova është para një bllokade të faktorit ndërkombëtar, e duke u kërcënuar me bllokadë financiare”, është shprehur Tahiri.

Kryetari i Kuvendi, Glauk Konjufca ka treguar se nuk mund të vazhdohet me këtë pikë.

“Nuk mendoj që për këtë ka pajtueshmëri dhe kuorum të mjaftueshëm për të vazhduar. Janë vetëm 75 deputetë”, tha Konjufca.

Për sa i përket pikës për shqyrtimin për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë me Bankën Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja Solare e Prishtinës”, kryeparlamentari Konjufca ka thënë se në Kryesi janë marr vesh të mbahet seanca për këto dy marrëveshjet ndërkombëtare.

“Në Kryesi jemi marr vesh, pasi dilemat ishin nëse do të mbajmë seancë ose për marrëveshjet ndërkombëtare. Po shoh që deputetët e PDK ishin këtu dhe për disa mospajtime dolën. E për këto mospajtime është dashur të merren vesh me mu, pasi nuk ka kuorum”, shtoi Konjufca.

Abelard Tahiri nga PDK ka thënë se “po flasim për disa pika që i kemi në agjendë prej 20 prillit këtu. Prej 20 prillit i keni këtu dy marrëveshjet ndërkombëtare. Kështu qysh po silleni si Grup Parlamentar i LVV-së kur të doni i hiqni e i sillni, ky është degradim e i papranueshëm për ne”.

Tahiri po ashtu u shpreh se adresimi kryesor i problemeve për mbarëvajtjen se seancave duhet t’i drejtoni shumicës.

“Vendi jonë nuk është në një rrethanë normale. Kritikën kryesore e kemi në neglizhencën e kësaj mazhorance. Me pas qenë shumë të rëndësishme për ju, ne tash kishim qenë në fazën e implementimit”, tha tutje Tahiri.

I menjëhershëm ishte reagimi i Konjufcës, i cili tha se po të ia kishte thënë këto fjalë Tahiri gjatë mbledhjes së kryesisë atëherë ai nuk do ta kishte thërritur këtë seancë.

“Këto fjalë me mi pas thënë kështu në mbledhjen e Kryesisë, unë nuk i kisha thirr deputetët sot. Këto fjalë nuk i ke thënë. Ti është dashur me na thënë që PDK nuk voton asnjë marrëveshje ndërkombëtare”, ka thënë Konjufca.

Tahiri tha se Konjufca tha diçka të pavërtetë duke iu kundërpërgjigjur.

“Jemi zotuar që të enjten do t’i votojmë këto marrëveshje. Kemi qenë shumë hezitues për këto çështje. Pa grupin parlamentar të PDK mund të kalojnë këto. Si shenjë idinjate që jeni duke ia bërë këtij Kuvendi ne nuk do të marrim pjesë në votim të këtyre dy marrëveshjeve”, ka përfunduar Tahiri. /Telegrafi/

Exit mobile version