Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se sot do të shpallen rezultatet nga zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025.

Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi për media nga KQZ-ja.


“Ju njoftoj se sot (e shtunë, 31.01.2026, ora 10:00) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës me rendin e ditës të cilin e gjeni të bashkangjitur. Hyrje: Kreshnik Radoniqi, Kryesues i mbledhjes së KQZ-së; 2. Shpallja e rezultateve përfundimtare për Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës, së Kosovës, të mbajtura me datën 28.12.2025. 3. Të ndryshme”, thuhet në njoftim.

Mbledhja e KQZ-së do të jetë e hapur për publikun dhe mediat.

Ndryshe, që nga mbajtja e zgjedhjeve më 28 dhjetor 2025, autoritetet e zbatimit të ligjit kanë zhvilluar intervista me qindra persona, kanë ndaluar dhjetëra të tjerë dhe kanë vazhduar hetimet nën dyshimet për manipulim të votave të kandidatëve për deputetë në disa komuna të vendit.

Si pasojë e këtyre dyshimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mori vendim për rinumërim të plotë të votave për kandidatët në të gjitha komunat e Kosovës, ndërsa votat për subjektet politike nuk u përfshinë në këtë proces dhe mbetën të pandryshuara.

Megjithë parregullsitë dhe vjedhjet e votave brenda partive politike, ndarja e mandateve të deputetëve për subjektet politike ka mbetur e njëjtë, pa ndryshime në përbërjen e përgjithshme të Kuvendit.

Deri më tani, pasojat konkrete nga këto manipulime kanë rezultuar vetëm me largimin nga Kuvendi të deputetit të komunitetit turk, Fikrim Damka, vendi i të cilit është zëvendësuar nga bashkëpartiaku i tij, Ergul Mazrek.

Sipas hetimeve, manipulimi i votave dyshohet se është kryer në dy forma kryesore: përmes shtimit të votave drejtpërdrejt në sistem nga numëruesit, në rastet kur qytetarët kanë votuar më pak se 10 kandidatë, si dhe përmes transferimit të votave nga një kandidat tek tjetri brenda së njëjtës parti politike.

Këto parregullsi kanë çuar në nisjen e hetimeve në disa komuna, ku një numër komisionarësh dhe vëzhguesish kanë përfunduar në paraburgim, ndërsa prokuroria ende nuk ka ftuar për intervistim deputetët emrat e të cilëve kanë spikatur me dallime të mëdha votash, megjithëse nuk është përjashtuar mundësia që edhe ata të përfshihen në procedurat hetimore në vijim. /Telegrafi/