Deficiti tregtar i Kosovës gjatë muajit maj krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar është thelluar për 20 për qind.
Kështu thuhet në raportin “Statistikat e tregtisë së jashtme të mallrave, maj 2022”, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
ASK shton se eksporti mbulon importin për 17.1 për qind.
“Të dhënat nga tregtia e jashtme të mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të larët për 19.4 për qind në muajin maj 2022, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2021, gjegjësisht në vlerë prej 367.8 milionë euro krahasuar me deficitin prej 308.2 milionë euro në vitin 2021. Eksporti mbulon importin për 17.1 për qind”, thuhet në raportin e ASK-së, shkruan Telegrafi.
Në këtë raport theksohet se ka pasur rritje të eksporteve dhe importeve.
“Eksporti i mallrave në muajin maj 2022 kishte vlerën 76 milion euro, ndërsa importi 443.8 milionë euro, është një rritje prej 31.5 për qind për eksport si dhe 21.3 për qind për import duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021”, thekson raporti.
Nga të dhënat e eksporteve, metalet bazë prej 27.1 për qind, ndjekur me 18.7 për qind për artikujt e ndryshëm të prodhuar, plastika me 16.1 për qind, produktet minerale prej 8.6 për qind, ushqimet prej 7.2 për qind dhe 4 për qind për artikujt prej gurit dhe qeramikës.
Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesor për import, 17 për qind janë për produktet minerale, 11.5 për qind për makineritë, 10.6 për qind për ushqimet e përgatitura, 9.9 për qind për metalet bazë, 8.3 për qind për plastikë, 7.9 për qind për mjetet e transportit dhe 6.8 për qind për produkte të industrisë kimike.
Eksportet e Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian arritën në 22.5 milionë euro ose rreth 29.6 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 4.8 për qind. Partneret kryesor për eksport janë nga Gjermania me 10.1 për qind, Italia me 6.1 për qind dhe Holanda me 2.3 për qind.
Në anën tjetër, importet ishin rreth 188.6 milionë euro apo 42.5 për qind e importeve të përgjithshme me një rritje prej 14.3 për qind. Importet me pjesmarje me të lartë ishin nga Gjermania me 11.5 për qind, Greqia me 6.4 për qind dhe Italia me 5.1 për qind.
Në muajin maj 2022, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-së arritën në 31 milionë euro ose 40.8 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 38.8 për qind. Partner kryesor për eksport janë Maqedonia e Veriut me 15 për qind, Shqipëria me 13.5 për qind, Serbia me 7.3 për qind dhe Mali i Zi me 3.8 për qind.
Kurse importet arritën në 82.8 milionë euro apo 18.7 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 7.5 për qind. Vendet me pjesmarje më të lartë ishin Serbia me 7.2 për qind, Maqedonia e Veriut me 5.1 për qind dhe Shqipëria me 4.7 për qind.
Për sa i përket eksporteve të Kosovës me vendet tjera arritën në 22.5 milionë euro ose 29.6 për qind. Si partner më të rëndësishëm nga këto vendet për eksport vlen të përmendën SHBA-ja me 14.3 për qind dhe Zvicra me 7.4 për qind.
Në fund, importet me këto vende arritën në 172.4 milionë euro ose 38.8 për qind. Vendet me pjesmarje më të lartë për import në këtë grup ishin Turqia me 11.7 për qind dhe Kina me 9.8 për qind. /Telegrafi/