Kosova në konkurrencën e femrave ka shënuar fitore ndaj Maqedonisë së Veriut me rezultat 3-0, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, që i takon Grupit 6 të Ligës C të Ligës së Kombeve.   

Pjesa e parë ka përfunduar pa gola edhe pse “Dardanet” kishin disa raste shumë të mira por nuk arritën t’i konkretizonin. 


Me të filluar pjesa e dytë, të besuarat e Sami Sermaxhajt e nisën furishëm, duke shënuar dy herë. 

Sulmuesja Kaltrina Biqkaj arriti që të hap ndeshjen në minutën e 50-të për 1-0, ndërsa në minutën e 66-të, ajo shënoi për 2-0. 

Biqkaj asistoi edhe te goli përfundimtar që e realizoi Erëleta Memeti në minutën e 85-të për 3-0. 

Fitorja e Kosovës ndaj Maqedonisë së Veriut ishte shumë e rëndësishme pas disfatës që e pësoi më 25 shkurt nga Letonia. 

Grupin 6 e udhëheq Letonia me 6 pikë por e ka edhe një ndeshje më pak të luajtur. Edhe Kosova i ka 6 pikë në pozitën e dytë. Maqedonia e Veriut është e fundit pa pikë.  Vetëm fituesi i grupit e ka të sigurt kalimin në Ligën B. /Telegrafi/

telegrafi sport app