LAJMI I FUNDIT:

Kosina e Ferizajt përplot probleme, Komuna premton projekte në vitin e ardhshëm

Kosina e Ferizajt përplot probleme, Komuna premton projekte në vitin e ardhshëm

Banorët e fshatit Kosinë të Komunës së Ferizajt po i shqetëson një numër problemesh. Ata thonë se rrugica e pa asfaltuar e mungesa e kanalizimit po u shkakton vështirësi, por më të rrezikuar ndihen nga kabllot elektrike që janë të rëna gati për toke.

Zejnie Abazi nga Kosina e Ferizajt po numëron shumë prej problemeve infrastrukturore, me të cilat përballet ajo në këtë fshat.

“Kemi shumë probleme me telat e rrymës që kanë rënë shumë afër tokës. Këtu fëmijët i ruajnë bagëtitë edhe luajnë dhe këta tela janë problem. Kemi probleme edhe me rrugët e pashtruara. Probleme mbetet edhe era e kanalizimit që në shtëpinë time nuk guxojmë të dalin në ballkon nga kundërmimi”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Zejnie Abazi.


Shqetësim për rrezikun nga këto kabllo elektrike ka shprehur edhe Syndyze Abazi.

“Me shtyllat elektrike kemi shumë problem pas rrëzimit të shtyllës. Ajo është rivendosur por telat kanë mbetur shumë poshtë. Këta paraqesin rrezik për fëmijët e të gjithë”, deklaron banorja tjetër Syndyze Abazi, përcjell Telegrafi.

Ndërsa drejtori i Infrastrukturës në Komunën e Ferizajt, Arbër Bytyqi, ka thënë se plani për rregullimin e probleme në fjalë në fshatin Kosinë do të bëhet në vitin e ardhshëm.

“Janë një numër i rrugicave që nuk janë në projektet ekzistuese por për vitin e ardhshëm do t’i shtimë në projekte edhe këto rrugë”, deklaroi Arbër Bytyçi.

Ndërsa nga KEDS-i përmes një përgjigjeje elektronike kanë bërë të ditur se kanë dalur të verifikojnë gjendjen në teren./RTV Dukagjini/Telegrafi/