Imami i xhamisë Bedri Kamberi” në Prishtinë, Labinot Maliqi, ka pritur në xhaminë e tij përfaqësues nga Kampi i Ushtrisë Amerikane Bondsteel në një takim lamtumirës me kapelanen Major Borne dhe bashkëpunëtorët e saj nga KFOR-34.

Në këtë takim të përzemërt, Imami Maliqi ka shprehur mirënjohjen e tij për kontributin dhe shërbimin e çmuar të Major Borne gjatë qëndrimit dhe angazhimit të saj në Kosovë.


Ai gjithashtu ka uruar mirëseardhje Kapelanit të ri, Kolonel Walls, duke i dëshiruar suksese dhe shëndet në misionin e tij të ri në vend.

“ShBA-të janë miku ynë special, aleati ynë kryesor, partneri i pazëvendësueshëm dhe begatia e Zotit për Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Maliqi.

Gjatë ceremonisë, ai pranoi një mirënjohje zyrtare për kontributin e dhënë në mbështetje të KFOR-34 RC-East.

Në tekstin e mirënjohjes theksohej se “kontributet tuaja kanë qenë thelbësore për suksesin e përgjithshëm të misionit të forcave në Kosovë”.

Përveç mirënjohjes, Imami Maliqi u nderua edhe me një maicë me mbishkrimin e Kampit Bondsteel – një dhuratë simbolike që ai e vlerësoi si kujtim të veçantë dhe me rëndësi të madhe në jetën dhe shërbimin e tij.

Në fund, ai përsëriti falënderimin ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës:

“Atë që Shtetet e Bashkuara dhe populli amerikan kanë bërë për vendin tonë, për lirinë tonë, për të drejtën tonë për të ekzistuar dhe për çdo qytetar që e quan Kosovën shtëpi të vet, shkon përtej çdo partneriteti që ka njohur ndonjëherë bota. E falënderoj Zotin që i kemi!” – përfundoi Maliqi.