Më 12 nëntor, në Klan Arena, kompania IPKO do të organizojë Konferencën e tretë Kibernetike në Kosovë, një ngjarje që pritet të mbledhë ekspertë të sigurisë digjitale, përfaqësues institucionalë dhe profesionistë të teknologjisë për të diskutuar mbi mbrojtjen e të dhënave dhe sfidat e reja kibernetike.

Kjo konferencë vjen në një kohë kur Policia e Kosovës ka paralajmëruar qytetarët për një valë email-esh mashtruese që po qarkullojnë në rrjet, duke pretenduar se janë dërguar nga zyrtarë të lartë të Policisë së Kosovës, FBI-së apo INTERPOL-it.


Sipas njoftimit zyrtar, këto mesazhe mbajnë tituj alarmues si “Ftesë / Arrestim i menjëhershëm” dhe kërkojnë nga marrësit që të paraqiten brenda 24 orëve në polici.

Mirëpo, autoritetet theksojnë se këto dokumente janë plotësisht të falsifikuara dhe nuk janë lëshuar nga asnjë institucion zyrtar.

“Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve që të mos bien pre e këtyre mashtrimeve dhe çdo rast ta raportojnë menjëherë në adresën zyrtare të Policisë”, thuhet në reagim.

Ndërkohë, njësitet kompetente kanë nisur hetime intensive për të identifikuar personat që fshihen pas këtyre veprimeve, të cilat përbëjnë vepër penale në bazë të legjislacionit në fuqi.

Raste të ngjashme janë regjistruar edhe në nivel ndërkombëtar. Vetë FBI ka konfirmuar se në një incident të mëparshëm në SHBA, mbi 100 mijë email-e të rreme janë dërguar nga një prej serverëve të saj, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë kibernetike.

Në këtë kontekst, Konferenca Kibernetike e IPKO-s vjen si një platformë e rëndësishme për ngritjen e vetëdijes dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, bizneseve dhe qytetarëve për mbrojtjen e hapësirës digjitale në Kosovë.

Folësit në këtë konferencë janë: Noam Segev, me përvojë të thellë në konsulencë të sigurisë kibernetike dhe zhvillim produktesh, Noam është i specializuar në përballjen me sfidat komplekse rregullatore dhe inovacionet teknologjike të avancuara.

Aktualisht mban pozitën e Chief Revenue Officer në Shield-IoT/Mastercard, kompani lider në sigurinë e rrjeteve celulare IoT.

Marko Ostanek, profesionist me përvojë mbi 20 vjet në sigurinë kibernetike dhe aktualisht mban pozitën e SE Manager për rajonin Adriatik në Check Point.

Ai specializohet në sigurinë e qendrave të të dhënave, përfshirë segmentimin dhe mikrosegmentimin, arkitekturën Zero Trust dhe mbrojtjen e mjediseve virtuale, hibride dhe multi-cloud.

Metod Platiše është Menaxher i Produkteve në Qendrën e Sigurisë Kibernetike të Telekom Slovenije, me mbi 20 vjet përvojë në inxhinieri të sistemeve dhe arkitekturë të rrjeteve të komunikimit. /Telegrafi/