I pari i ekzekutivit ka deklaruar se legjislativi duhet t’i “ndezë” motorët dhe deri në shtator t’i miratojë rreth dyzet ligje, të cilat sipas tij, tashmë janë proceduar nga qeveria dhe presin të trajtohen nga ligjvënësit kosovarë. Ndërkaq, ditë më parë ai ka ripërsëritur se komunat duhet të jenë shumë më aktive në përmbushjen e agjendës evropiane, konkretisht në realizimin e riatdhesimit të qytetarëve kosovarë, që është njëra nga parakushtet për liberalizim të vizave, shkruan gazeta Zëri.

Reagimet e kryeministrit Thaçi vijnë vetëm pak ditë pas paralajmërimit të drejtorit për Ballkanin Perëndimor në Departamentin për Zgjerim të Komisionit Evropian, Pierr Mirel, se Raporti i ardhshëm Progresit nuk do të jetë aq pozitiv sa është pritur.


Nga ana tjetër, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, nuk e precizon nëse legjislativi do t’i përshpejtojnë “hapat”, siç ka kërkuar kryeministri Thaçi, por ai pohon se aktualisht është duke u punuar shumë.

Kryetari i Komunës së Therandës dhe sekretari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Kuçi, thotë se nuk merret shumë me deklarimet e kryeministrit, të cilat e “prekin” edhe komunën që ai drejton, ndërsa thekson se janë duke punuar me përpikëri që ta përmbushin agjendën evropiane.

Ngjashëm mendon edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa. Personi që mban pozitë të lartë në partinë e kryeministrit Thaçi, thotë se po punohet “ditë e natë” që të arrihet përmbushja e agjendës evropiane.

Drejtuesit e Qeverisë së Kosovës kanë ngecur edhe në njoftimin e komunave për rolin që kanë në procesin e riatdhesimit, posaçërisht në formën se si duhet të aplikojnë për të marrë mjete nga fondi i formuar për këtë çështje.

“Ai fond nuk është shpenzuar, pak është shpenzuar deri sot për shkak se komunat nuk kanë qenë të njoftuara që ekziston. Kemi qenë të njoftuar para disa muajve, por nuk kemi qenë të njoftuar për mënyrën se si duhet të shpenzohet, tash na është sqaruar se për çka është i dedikuar ai fond”, thotë kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa.

Ngjashëm deklarohet edhe kryetari i Therandës, Blerim Kuçi, i cili pohon se shumë vonë janë njoftuar se ekziston një fond i tillë. /Telegrafi/