Site icon Telegrafi

Komuna e Suharekës shpall konkurs për ndarjen e 350 bursave për studentë dhe nxënës

Drejtoria e Arsimit në Komunën e Suharekës ka shpallur konkursin për ndarjen e bursave për nxënësit dhe studentët për vitin shkollor 2024/2025.

Sipas njoftimit në kuadër të këtij konkursi parashihet ndarja e 350 bursave, përkatësisht 240 për studentë dhe 110 për nxënësit të shkollave të mesme të larta.

“Bursat ndahen vetëm për studentë dhe nxënës që janë banor të përhershëm të Komunës së Suharekës dhe që i vijojnë mësimet/studimet themelore në shkollat përkatësisht Universitetet publike të Kosovës.

Vlera e bursës për një vit akademik-shkollor do të jetë për student/e 60 € në muaj për 10 muaj, dhe për nxënës /e 30 € në muaj për 10 muaj”, thuhet në njoftimin e Komunës së Suharekës.

Aty theksohet se aplikantët duhet të kenë të regjistruar vitin shkollor ose akademik për të cilin jepet bursa, dhe të mos jenë shfrytëzues/e të ndonjë burse tjetër e cila dëshmohet me vërtetim nga fakulteti ku studion, ndërkohë që për kandidatët/et që janë regjistruar për herë të parë në fakultet të kenë dëshminë e suksesit të vitit paraprak.

“Gjendja ekonomike sociale e familjes e cila dëshmohet me vërtetim nga Qendra për punë sociale”, thuhet në njoftim.

Te vlerësimi i kushteve dhe kritereve nënvizohet se për fëmijët e dëshmorëve të cilët janë studentë dhe nxënës të shkollave të mesme të larta, bursat ndahen jashtë kritereve të përcaktuara me këtë rregullore, por se të gjithë studentët dhe nxënësit e kësaj kategorie janë të obliguar që të sjellin vërtetimin e regjistrimit të semestrit për vitin akademik të studimeve për të cilin ndahet bursa.

Afati për dorëzimin e dokumenteve është deri me 28 janar 2025. /Telegrafi/

Exit mobile version